Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ku temë kryesore ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Gjatë takimit u diskutua për finalizimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në SEPA dhe dorëzimin formal të tij te Këshilli Evropian i Pagesave (EPC), pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Sipas njoftimit, guvernatori Ismaili e informoi Kurtin se sektori financiar në vend është stabil dhe se Banka Qendrore e Kosovës ka qëndrueshmëri financiare.
Po ashtu, u diskutua për reformat që po zhvillohen në forcimin e mbikëqyrjes financiare, modernizimin e infrastrukturës dhe përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.




