Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka kërkuar që sa më shpejt të kompletohet baza ligjore për përcaktimin e varfërisë energjetike në Kosovë, përfshirë kriteret që përcaktojnë familjet që hyjnë në këtë kategori.
Kjo u tha në konferencën “Varfëria energjetike në Kosovë: Nga padukshmëria te mbrojtja”, e organizuar nga INDEP në Prishtinë.
Dardan Abazi nga INDEP, tha se përveç të hyrave familjare, në përcaktimin e varfërisë energjetike duhet të merren parasysh edhe rastet kur familjet reduktojnë përdorimin e energjisë për të pasur fatura më të ulëta.
“Ne kemi rekomanduar që sa më parë të kompletohet baza ligjore që do të përcaktonte edhe konceptin e varfërisë energjetike, edhe kriteret për futjen e familjeve në varfërinë energjetike. A duhen këto kritere të ndërlidhen vetëm me të hyrat familjare, a duhet të ketë hulumtime të rregullta sa i takon edhe çështjes së varfërisë së heshtur energjetike, faktit që disa elemente të varfërisë energjetike mund të mos shfaqen në faturë. Familjet të cilat e privojnë veten nga përdorimi i mjaftueshëm i energjisë për të pasur fatura më të ulëta”, tha Abazi.
Ndërkaq, udhëheqësja e sektorit privat rezidencial në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Drita Shabani, tha se fondi ka ndërmarrë masa për të ndihmuar familjet që kanë vështirësi në përballimin e kostove të energjisë.
Ajo tha se përmes projekteve të efiçiencës së energjisë janë rinovuar shtëpi individuale dhe ndërtesa sociale, ndërsa aktualisht, në bashkëpunim me UNDP-në dhe me mbështetje të qeverisë daneze, po zhvillohet një projekt që synon trajtimin e rreth 280 shtëpive të familjeve në skemën sociale.


