Janë zbardhur dëshmitë e dhëna në polici nga miqtë e 20-vjeçarit portugez, që mbeti viktimë e një konflikti në një beach bar në Ksamil më 18 gusht.
Turisti francez Adib Ghanmi ka deklaruar përpara uniformave blu se, pasi ka mbaruar festa në beach bar, së bashku me shokët, kanë shkuar në plazh për të pushuar.
Sipas dëshmisë së francezit, fillimisht në drejtimin e tyre ka shkuar një shqiptar i veshur me rroba jeshile të shkurtra, që ka sharë nga nëna një turist. Ai shprehet se personi i veshur me jeshile e qëlloi me kokë mikun e tyre dhe kështu nisi sherri, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.
Më pas, ai rrëfen edhe skenën, që shkaktoi humbjen e jetës së turistit nga Portugalia. Sipas Ghanmi, autori i dyshuar për vrasjen, “një person me flokë të gjata”, ka shkuar me thikë në dorë, ka goditur fillimisht në këmbë një mikun e tij të quajtur Tourpal e më pas ka qëlluar me thikë në zemër viktimën portugez. Në këtë moment, njerëzit kanë nisur të bërtasin.
“Isha me shokët e mi, ishim shtatë persona dhe po festonim në club Principote. Pasi mbaroi festa, ne po qëndronim në plazh. Aty ka ardhur një person, i cili ishte veshur me rroba të shkurtra me ngjyrë jeshile, i moshës 25-30 vjeç, trup normal, flokë të shkurtra, i cili ishte shqiptar, por fliste frengjisht dhe ofendoi nga nëna një shokun tim, i cili i thotë që: pse më shan, se nëna është e shenjtë. Ky person e goditi me kokë, ne u futem të gjithë në konflikt.
Më pas erdhi një person që ishte i veshur me rroba të bardha, me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë dhe fillimisht ka qëlluar një shokun tim i quajtur Tourpal me thikë më këmbë dhe më pas ka goditur dhe shokun tjetër, i cili u vra me thikë ne zemër dhe në këtë moment, filluan njerëzit të bërtisnin, dhe në drejtim kanë ardhur rreth 10-15 veta security. Një nga ata që qëlloi në drejtimin tonë, unë e kapa nga duart, por ai më shtyu dhe unë kam rënë në ujë”, u shpreh turisti nga Franca.
