Reshjet intensive, të cilat filluan të dielën, do të vazhdojnë të jenë të pranishme deri në paraditen e së hënës. Rreth mesnatës ato parashihen të jenë në formë të rrebesheve lokale, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh. Si pasojë e reshjeve të dendura, pritet të ketë edhe vërshime lokale në disa zona.
Gjatë ditës reshjet do të humbasin në intensitet dhe shtrirje territoriale, duke mbetur vetëm të izoluara në zona të caktuara. Përndryshe, moti do të karakterizohet nga alternime vranësirash dhe kthjellimesh.
Të martën, një tjetër front i ftohtë do të depërtojë në orët e mëngjesit, duke sjellë reshje të reja shiu, që lokalisht do të shoqërohen me disa shkarkesa rrufesh, ndërsa në zonat malore priten reshje bore.
Të reshurat parashihen të ndërpriten deri në mesditë, ndërsa më pas do të mbizotërojnë vranësira të pjesshme, përpara se të tërhiqen gradualisht gjatë pasditës.
