Kandidati i Listës Studentore për president, Radomir Saiçiq, e konsideron Kosovën “territor të pushtuar përkohësisht”.
Duke folur për Kosovën, ai kishte thënë se prioritet është “ruajtja e integritetit territorial të Serbisë” dhe përmirësimi i kushteve të jetesës për serbët, ndërsa të ardhmen e Republikës Srpska e sheh si të pandashme “nga e ardhmja e popullit serb”.
Në deklaratën e tij, ai iu ka referuar Kosovës me gjuhë të papranueshme dhe nxitëse.
“Kosova dhe Metohija janë, sipas Kushtetutës, pjesë e pandashme e territorit tonë. Ky është fakt dhe kështu do të mbetet. Për mua, është territor i pushtuar përkohësisht”, kishte deklaruar Saiçiq.
Përveç Kosovës, Saiçiq ka shprehur edhe qëndrime pro mbajtjes së marrëdhënieve të mira me Moskën. Ai pati deklaruar se Rusia mbron integritetin territorial të Serbisë më shumë sesa Qeveria në Beograd.
Ndërkaq, pasi u kandidua për president, i pyetur rreth qëndrimit të tij ndaj Bashkimit Europian, Saiçiq, tha se ai ka qëndrim pozitiv ndaj bllokut europian dhe vlerave europiane.

