Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, ka folur për raportet dhe komunikimet që kishte gjatë luftës në Kosovë me ish-ambasadorin amerikan Christopher Hill, si dhe për rolin e tij në procesin e Rambujesë.
I ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania, Milo tha se në atë periudhë kishte kontakte të shpeshta me Hillin, përfshirë telefonata dhe diskutime të vazhdueshme lidhur me qëndrimin e Qeverisë së Shqipërisë.
Sipas tij, bashkëpunimi me Hillin dhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, kishte qenë i rëndësishëm në përpjekjet për ta bindur delegacionin e Kosovës që ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë.
“Kam pasur shumë kontakte me ambasadorin Hill, shumë telefonata dhe shumë diskutime. Unë isha ministër i Jashtëm i Shqipërisë në atë kohë dhe isha edhe përfaqësuesi i Shqipërisë në Rambuje. Ambasadori Hill, që foli këtu, ndoshta më merrte një herë në dy ditë në telefon, kudo që të isha, që të dëgjonte se çfarë mendonte Qeveria shqiptare”, tha Milo.
Ai tregoi se në një moment ishte thirrur me urgjencë për të udhëtuar drejt Rambujesë, me kërkesë të Hillit dhe Albrightit.
