Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja pritet që të thërrasë deri në 25 dëshmitarë në rast që do të paraqes provat e saj, gjë e cila varet nga vendimi i trupit gjykues ndaj mocionit për rrëzimin e akuzave.
Sipas një parashtrimi të përbashkët të mbrojtjes, thuhet se 15 dëshmitarë pritet të dëshmojnë fizikisht në sallën e gjyqit, ndërsa pjesa tjetër e dëshmive pritet që të paraqiten për t’u pranuar me shkrim sipas Rregullës 153 dhe 155, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Aty thuhet se mbrojtja e Thaçit pritet që të thërrasë deri në 12 dëshmitarë që të dëshmojnë fizikisht, por ky numër mund të jetë edhe me i vogël.
Kurse, mbrojtja e Krasniqit pritet t’i thërrasë deri në 10 dëshmitarë e që pesë prej tyre të dëshmojnë drejtpërdrejt, ndërsa të tjerët me shkrim.
Sipas parashtrimit deri më tani mbrojtja e Veselit dhe Selimit kanë thënë që nuk kanë ndërmend që të thërrasin dëshmitarë, por ata rezervojnë të drejtën e tyre për të paraqitur prova.
Në anën tjetër, thuhet se duke u bazuar në këto vlerësime, i gjithë rasti i mbrojtjes pritet që të zgjasë rreth tre muaj duke përllogaritur edhe vonesat e mundshëm.
Por aktualisht, mbrojtja ka kërkuar që të zgjatet afati i tyre procedural pas vendimit të trupit gjykues më 5 qershor 2025, i cili i caktoi afate për secilën nga palët dhe pjesëmarrësit për vijueshmërinë e çështjes në këtë rast, në rast që refuzohet pjesërisht ose tërësisht kërkesa për rrëzimin e akuzave.
Mbrojtja ishte urdhëruar që deri më 16 korrik 2025 të njoftojë trupin gjykues në rast që synon që të paraqesë çështjen e saj dhe të dorëzojë listën e saj të dëshmitarëve deri më 21 korrik 2025.
Një konferencë përgatitore pritet të mbahet më 21 korrik 2025 ku do të bëhej e ditur edhe kjo çështje.
Mbrojtja ka kërkuar që listën e saj të dëshmitarëve të dorëzojë deri më 18 gusht 2025 duke u thirrur në hapa logjistik dhe procedural që ata duhet t‘i marrin e që nuk mund të përmbushen brenda afateve aktuale.
“Disa nga ekipet e Mbrojtjes duhet të marrin miratimin nga ofruesit e Rregullës 107 për të: (i) zbuluar dokumente që mund të përdoren ose të paraqiten si pjesë e çështjes së Mbrojtjes; (ii) zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mundshëm; (iii) përgatitur dhe zbuluar deklaratat e finalizuara të këtyre dëshmitarëve; dhe (iv) lejuar dëshmitarët të dëshmojnë në këto procedura. Ndërsa diskutimet dhe negociatat me ofruesit e Rregullës 107 janë në vazhdim, ky proces nuk ka mundur të përparojë në mënyrë domethënëse deri sa u përcaktuan kufijtë e çështjes së ZPS-së, përfshirë përmbajtjen e materialeve të pranuara”, thuhet në parashtrim.
Mbrojtja ka thënë se në rast që afatet ekzistuese nuk zgjaten, mbrojtja nuk do të jetë në gjendje që të përmbushë detyrimet e saj sipas Rregullës 119 (4). Kjo Rregull përcakton se brenda 30 ditëve nga konferenca përgatitore që është planifikuar të mbahet më 21 korrik 2025, të jetë e caktuar data për hapjen e çështjes së mbrojtjes.
