Ministria e Mbrojtjes ka finalizuar procedurat për sigurimin shëndetësor dhe aksidental të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke e kurorëzuar procesin me dhënien e kontratës trevjeçare.
Sipas njoftimit zyrtar për dhënien e kontratës, të përgatitur më 19 nëntor 2026, ky tender i është besuar kompanisë së sigurimeve “K.S. Dukagjini SH.A.”.
Ky vendim vjen pas një procedure të hapur të prokurimit, ku në garë për këtë kontratë kanë dorëzuar ofertat e tyre gjithsej tre operatorë ekonomikë.
Vlera e përgjithshme e kontratës së nënshkruar kap shumën prej 103 mijë e 997 euro e 50 centë, ndërsa kohëzgjatja e saj do të jetë 36 muaj (tre vjet).
Ndonëse Ministria e Mbrojtjes kishte parashikuar që ky tender të kushtonte deri në 171 mijë euro, kompania fituese arriti ta marrë kontratën duke ofruar çmimin më të ulët në garë. Nga dokumentacioni i prokurimit bëhet e ditur se oferta më e lartë e përgjegjshme që u pranua në këtë proces ishte 155 mijë e 848 euro e 80 centë.
Sipas arsyetimit të dikasterit të Mbrojtjes, sigurimi shëndetësor dhe aksidental për nevojat e FSK-së ka për synim rritjen e operacionalitetit dhe efikasitetit të ushtarëve gjatë kryerjes së detyrave dhe misioneve të tyre.