U nënshkrua Marrëveshja për projektimin dhe ndërtim të interkonektorit të gazit Maqedoni-Serbi, mes drejtorit të SHA NOMAGAS Nedim Rama dhe kompanisë ndërtuese “Rapid Bild”, Toni Karanfillovski. Pjesa e interkonektorit që do të ndërtohet në vend parashihet të jetë 22.4 kilometra dhe afati i parashikuar për realizimin e plotë të projektit është fundi i vitit 2028.
Drejtori i NOMAGS Nedim Rama tha se e kanë përzgjedhur kompaninë vendase “Rapid Bild”, sepse ka pasur ofertën më të favorshme, dhe se ky projekt do te kushtoj 29.4 milion euro.
“Pjesa jonë e interkonektorit do të jetë me gjatësi prej 22.4 km dhe me diametër prej 500 milimetër. Pika fillestare do të jetë pranë bllok stacionit ‘Kleçevc’, ndërsa pika e fundit do të jetë në kufirin me Serbinë pranë fshatit Sopot. Në kuadër të projektit do të ndërtohen edhe 5 objekte shoqëruese, stacioni kryesor matës, stacioni reduktues, bllok stacioni dhe dy stacione pranuese dhe dërguese për pastrimin e tubacionit”, deklaroi Nedim Rama, drejtor i SHA NOMAGAS.
