Policia ka njoftuar se ka identifikuar dhe gjobitur shoferin i cili i kishte mundësuar një fëmije 12-vjeçar të drejtonte automjetin në Malishevë.
Sipas Policisë Rajonale në Gjakovë, rasti është zbuluar pas pranimit të një video-incizimi nga qytetarët, ku shihej një person madhor në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, duke i dhënë mundësi të miturit të ulej në ulësen e shoferit dhe të drejtonte automjetin, ndërsa vetë e incizonte ngjarjen.
“Pas veprimeve operative dhe hetimore nga ana e Stacionit Policor në Malishevë, personi është identifikuar dhe ndaj tij, bazuar në Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, janë ndërmarrë masa ligjore: gjobë prej 400 eurosh, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse-ndalim i të drejtës së ngasjes për të gjitha mjetet motorike në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh”, thotë Policia në Facebook
