Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë letër urimi nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, me rastin e marrjes së detyrës.
Në njoftim shtohet se, në letrën e tij, Macron, i përcolli Pula ‘’urimet më të përzemërta dhe shfaqi shpresën se zgjedhja e saj do të mundësojë rifillimin e përparimit në fushat që kontribuojnë në perspektivën evropiane të Kosovës’’.
”Në letrën e tij, ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke riafirmuar mbështetjen e Francës për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftim.
Komunikata e plotë:
Presidentja Shiroka Pula mori letër urimi nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë letër urimi nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, me rastin e marrjes së detyrës.
Në letrën e tij, Presidenti Macron i përcolli Presidentes Shiroka Pula urimet më të përzemërta dhe shfaqi shpresën se zgjedhja e saj do të mundësojë rifillimin e përparimit në fushat që kontribuojnë në perspektivën evropiane të Kosovës.
Presidenti Macron ka rikujtuar takimin me Kryeministrin Albin Kurti në Paris, në mars të këtij viti, si dhe partneritetin historik ndërmjet Francës dhe Kosovës.
Ai shprehu kënaqësinë që vizita e ministrit të deleguar për Evropën në Kosovë, gjatë muajit korrik mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të reja ndërmjet dy vendeve.
Në letrën e tij, ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke riafirmuar mbështetjen e Francës për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.