Lista Studentore në Serbi, e cila ka fituar zgjedhjet e sotme, kishte shprehur më herët qëndrime kundër pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare.
Në deklaratat e publikuara gjatë vitit 2025, studentët kritikuan politikën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ndaj Kosovës, duke e akuzuar pushtetin në Beograd për lëshime përmes marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
“Studentët nuk e nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit, Marrëveshjen e Uashingtonit dhe as nuk e pranuan planin franko-gjerman”, thuhej në njërin prej reagimeve të tyre.
Në këto deklarata, studentët përmendën edhe çështjen e dinarit serb, targave dhe dokumenteve, sistemit të energjisë elektrike, liqenit të Ujmanit (Gazivoda), si dhe ndryshimet në funksionimin e institucioneve në veri të Kosovës.
Ata i kritikuan autoritetet serbe për zhvillimet e viteve të fundit, ndërsa kundërshtuan njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
“Republika e Serbisë nuk do ta njohë kurrë shkëputjen e Kosovës dhe Metohisë dhe as nuk do të lejojë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, thuhej në qëndrimin e publikuar nga studentët.
Në të njëjtin reagim, ata theksuan se do të angazhohen për ruajtjen e institucioneve, vendeve të shenjta dhe popullatës serbe në Kosovë, si në veri, ashtu edhe në jug të Ibrit.
Deklaratat e vitit 2025 tregojnë se kundërshtimi i politikës së Vuçiqit nga ana e studentëve nuk nënkuptonte mbështetje për pavarësinë e Kosovës. Përkundrazi, në qëndrimet e tyre të publikuara, ata shprehën kundërshtim të qartë ndaj njohjes së saj dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.