Platforma “Liria ka Emër”, ka bërë letër zyrtare drejtuar anëtarëve të Parlamentit Evropian në Bruksel për shqyrtimin e shqetësimeve serioze që kanë shoqëruar funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në kërkesat e tyre, ata i bëjnë thirrje Parlamentit Evropian që:
"Të organizojë një dëgjim parlamentar të posaçëm, ku të trajtohen shqetësimet e identifikuara në raportin e BHRC-së dhe çështjet e tjera që lidhen me respektimin e të drejtave themelore në Dhomat e Specializuara, duke përfshirë përfaqësues të institucioneve përkatëse, ekspertë të pavarur dhe përfaqësues të mbrojtjes.
Të kërkojë një vlerësim të pavarur ndërkombëtar, me mandat për të shqyrtuar praktikën institucionale dhe respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut, përfshirë çështjet që nuk janë trajtuar në mënyrë shteruese në raportin paraprak të BHRC-së.
Të nxisë Komisionin Evropian dhe Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) që të përgatisin një raport të posaçëm mbi transparencën, përgjegjësitë institucionale dhe respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut në funksionimin e Dhomave të Specializuara.
Të shqyrtojë mekanizmat e financimit dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga shtetet kontribuuese dhe institucionet e përfshira në mbështetjen e Dhomave të Specializuara.
Të shqyrtojë mundësinë e një nisme parlamentare, përmes rezolutës, rekomandimit ose instrumenteve të tjera përkatëse, që do të kërkonte forcimin e mekanizmave të pavarur të monitorimit dhe garantimin e standardeve të gjykimit të drejtë.
Të mundësojë një takim me përfaqësuesit e Platformës qytetare “Liria ka Emër”, për të paraqitur më gjerësisht shqetësimet, dokumentacionin dhe propozimet tona për veprim institucional."
Në fund, ata kanë kërkuar përgjigje zyrtare dhe informacion mbi mundësinë e organizimit të një takimi me përfaqësuesit e tyre.
"Kosova e njeh rëndësinë e drejtësisë ndërkombëtare dhe nuk kërkon të përjashtojë askënd nga përgjegjësia individuale për krimet e provuara. Por po aq fuqishëm beson se drejtësia nuk mund të jetë selektive, e mbyllur ndaj shqyrtimit apo e përjashtuar nga standardet që vetë institucionet ndërkombëtare kanë ndihmuar t’i ndërtojnë.
Një proces gjyqësor nuk e dëshmon legjitimitetin e tij vetëm duke zhvilluar procedura dhe duke shqiptuar vendime. Ai e dëshmon atë duke garantuar se çdo i akuzuar ka pasur mundësi reale për mbrojtje, se çdo provë është shqyrtuar me paanshmëri dhe se çdo vendim është marrë në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë.
Ne nuk po kërkojmë që historia të gjykohet përmes emocioneve, por as që ajo të shkëputet nga konteksti në të cilin ka ndodhur. Nuk po kërkojmë imunitet për askënd, por garanci që askush të mos gjykohet jashtë standardeve universale të drejtësisë.
Liria e Kosovës nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve. Përgjegjësia penale është individuale, ndërsa drejtësia duhet të jetë universale.
Presim që Parlamenti Evropian të mos mbetet vetëm vëzhgues i këtyre shqetësimeve, por të ushtrojë kompetencat e tij për të kërkuar transparencë, përgjegjësi dhe respektim të të drejtave themelore.
Kërkojmë përgjigje zyrtare dhe informacion mbi mundësinë e organizimit të një takimi me përfaqësuesit tanë."
Kjo është letra:
Kosova, një shtet i vogël evropian me rreth 1.6 milionë banorë, bart një histori të rëndë të persekutimit, dhunës dhe sakrificës për liri. Në fund të shekullit të kaluar, populli i saj u përball me një fushatë sistematike të shtypjes nga regjimi serb, e cila kulmoi me luftën e viteve 1998–1999, me dëbime masive, shkatërrim të pronës dhe masakra ndaj popullsisë civile. Përballë një realiteti të tillë, lufta e popullit të Kosovës ishte luftë për mbijetesë, për mbrojtjen e ekzistencës dhe për të drejtën e patjetërsueshme për liri.
Pas përfundimit të luftës, Kosova kaloi nëpër një varg mekanizmash ndërkombëtarë të administrimit dhe drejtësisë: UNMIK-un, Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, EULEX-in dhe, më vonë, Dhomat e Specializuara në Hagë. Pavarësisht se ishte një popull që kishte përjetuar agresionin dhe pasojat e tij, Kosova pranoi që pretendimet për krime të kryera gjatë dhe pas luftës të hetoheshin e të gjykoheshin nga mekanizma ndërkombëtarë. Kjo ishte një dëshmi e besimit në drejtësinë ndërkombëtare dhe e gatishmërisë për të respektuar parimin se përgjegjësia penale është individuale dhe se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Në këtë kontekst, nuk mund të anashkalohet një nga mospërputhjet më thelbësore që ka shoqëruar themelimin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Procesi politik dhe institucional që çoi në krijimin e këtij mekanizmi u nxit nga raporti i Dick Marty-t, i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në vitin 2011, ku pretendimet për trafikim të organeve njerëzore përbënin një nga çështjet qendrore. Megjithatë, pas gjithë këtyre viteve hetimesh dhe procedurash, trafikimi i organeve nuk figuron në aktakuzën kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo mospërputhje ndërmjet pretendimeve që ndikuan në themelimin e gjykatës dhe akuzave të ngritura në procesin kryesor ka cenuar rëndë besimin e një pjese të madhe të shoqërisë kosovare në këtë mekanizëm. Qytetarët dhe përfaqësuesit politikë të Kosovës kanë arsye të kërkojnë sqarime se si një mekanizëm i jashtëzakonshëm, i pranuar nën presion të konsiderueshëm politik dhe ndërkombëtar, përfundoi duke zhvilluar një proces gjyqësor në të cilin pretendimi më i bujshëm që shoqëroi krijimin e tij nuk është pjesë e aktakuzës. Për shumë qytetarë të Kosovës, kjo ka krijuar ndjenjën se janë vënë përpara një arsyetimi që më pas nuk është pasqyruar në akuzat konkrete. Prandaj, konsiderojmë se Parlamenti Evropian duhet të kërkojë një sqarim të plotë institucional mbi këtë mospërputhje, si çështje të transparencës, besueshmërisë dhe përgjegjësisë politike për themelimin e këtij mekanizmi.
Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, është e vështirë të kuptohet përse Ushtria Çlirimtare e Kosovës vazhdon të jetë objekt i një vëmendjeje kaq të jashtëzakonshme dhe të pandërprerë nga mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë. Pas kalimit nëpër një varg të gjatë institucionesh hetimore e gjyqësore ndërkombëtare, krijohet përshtypja sikur Kosova të kishte pasur ushtrinë e Kinës, e jo një forcë çlirimtare të organizuar në rrethanat e një lufte për mbijetesë. Vështirë të gjendet një figurë e rëndësishme e udhëheqjes së saj ushtarake që, në një formë apo tjetër, të mos jetë përballur me shqyrtimin e këtyre mekanizmave. Kjo ngre një pyetje legjitime: a po i shërben kjo vazhdimësi e jashtëzakonshme drejtësisë individuale, apo po krijon perceptimin e një procesi të pafundmë të vënies në dyshim të një lufte çlirimtare?
Megjithatë, pranimi i drejtësisë ndërkombëtare nuk nënkupton heqje dorë nga e drejta për të kërkuar që ajo të ushtrohet me paanshmëri, integritet dhe respektim të plotë të të drejtave themelore. Përkundrazi, sa më i madh të jetë autoriteti i një institucioni gjyqësor, aq më e madhe duhet të jetë përgjegjësia e tij për të dëshmuar se çdo veprim, çdo provë dhe çdo vendim i nënshtrohet standardeve më të larta të drejtësisë.




