Me 31 mars është afati i fundit kur mbi 10 mijë zyrtarë publikë të Kosovës duhet të deklarojnë pasurinë.
Në lidhje me këtë proces, lajmi.net ka kontaktuar me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Fillimisht, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit tregoi se mbi 1 mijë zyrtarë tanimë e kanë deklaruar pasurinë.
“Deri më tani, numri i subjekteve deklaruese që e kanë përmbushur obligimin për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë ka arritur në 1 mijë e 200. Procesi i deklarimit është në vijim dhe subjektet deklaruese kanë afat ligjor për ta kryer deklarimin deri më 31 mars 2026.”, thuhej në përgjigjen e tyre.
Por, numri i zyrtarëve që duhet të deklarojnë deri me 31 mars është shumë i lartë.
“Sipas legjislacionin në fuqi numri i përgjithshëm i subjekteve deklaruese që i nënshtrohen obligimit për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për këtë cikël deklarimi është rreth 10 mijë e 350.”, tha APK për lajmi.net.
Tutje, Agjencia tha se procesi është duke u zhvilluar në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara
“Procesi është duke u zhvilluar në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara. Gjatë këtij viti është vënë në funksion një sistem i ri për deklarimin e pasurisë, i cili edhe pse funksionon në të njëjtën logjikë si sistemi i mëparshëm, paraqitet me një formë të re. Për këtë arsye, ka raste që subjektet deklaruese kërkojnë sqarime shtesë lidhur me përdorimin e tij apo për disa çështje teknike të funksionimit të sistemit. Punonjësit e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit janë në komunikim të vazhdueshëm me subjektet deklaruese, duke ofruar edhe përmes telefonit sqarime të nevojshme për realizimin e deklarimit përmes sistemit elektronik. Marrë në përgjithësi procesi është duke vijuar mirë dhe brenda afateve të përcaktuara.”, thanë nga Agjencia.
Përpos kësaj, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit bëri të ditur se sa janë gjobat e parapara për zyrtarët që vonohen dhe nuk e deklarojnë pasurinë në afatin e parashikuar.
