Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i gatshëm të organizojë zgjedhje të reja nëse ato shpallen, megjithëse thonë se procesi mund të paraqesë sfida për shkak të afateve të shkurtra. Sfida të organizimit dhe administrimit të procesit të ri zgjedhor presin edhe në Institutin Demokratik të Kosovës. Madje, sipas tyre, problematike është edhe mosnisja e procedurave për anëtarët e rinj të kësaj trupe zgjedhore. KosovaPress ka pyetur në Zyrën e Presidencës se kur do t’iu dërgojnë shkresat partive politike për dërgimin e emrave të rinj në KQZ, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Presidentja Vjosa Osmani, më 6 mars ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pas dështimit për të zgjedhur presidentin deri më 5 mars. Megjithatë, ky dekret dhe procedura e zgjedhjes së presidentit janë dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjykatë Kushtetuese, duke vlerësuar jokushtetuese dhe kërkuar mes tjerash edhe masë të përkohshme.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë për KosovaPress se organizimi i një procesi të ri zgjedhor për Kuvendin e Kosovës menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit përbën sfidë për institucionin dhe stafin e tij.
Sipas tij, pavarësisht vështirësive, KQZ-ja është e obliguar që të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.
“Organizimi i një procesi të ri dhe të parakohshëm zgjedhor për Kuvendin e Kosovës brenda një kohe të shkurtër pas përmbylljes së zgjedhjeve sigurisht përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e saj. Megjithatë, si institucion i përhershëm që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve, KQZ-ja do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të reja kurdo që kërkohet”, deklaron Elezi.
Nga ana tjetër, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, thekson se edhe pse KQZ-ja në të kaluarën ka administruar procese zgjedhore brenda afateve të shkurtra, organizimi i zgjedhjeve të reja pritet të sjellë vështirësi shtesë, sidomos duke pasur parasysh sfidat e evidentuara në procesin e fundit zgjedhor.
Sipas tij, mungesa e kohës së mjaftueshme për të ndryshuar rregullat dhe procedurat administrative nënkupton se vendi mund të hyjë sërish në zgjedhje me të njëjtin kuadër ligjor që ka ndikuar në problemet e evidentuara në zgjedhjet e fundit.
“Edhe pse KQZ-ja në të kaluarën ka treguar që në fakt administron zgjedhje shpeshherë në mënyrë më efikase në afate të shkurtra sesa në afate gjashtëmujore. Padyshim, mbajtja e zgjedhjeve sërish është një situatë e cila do t’i sjellë vështirësi KQZ-së sa i përket administrimit. Sidomos kjo duke marrë parasysh sfidat të cilat i kemi hasur gjatë procesit të kaluar zgjedhor, sidomos në raport me procedurat e numërimit, verifikimit e të tjera. Mungesa e hapësirës kohore që KQZ-ja të kryejë punën e nevojshme për t’i ndryshuar rregullat përkatëse për administrim më efikas nënkupton që vendi edhe njëherë do t’i futet procesit zgjedhor me një kuadër ligjor i cili në masë të madhe ka kontribuar në një situatë të tillë çfarë e patëm për zgjedhjet e 28 dhjetorit, pa anashkaluar normalisht edhe përgjegjësinë individuale të komisionerëve”, deklaron ai.
