Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në Kuvend gjatë seancës ku po shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kurti ka vlerësuar se lufta e popullit të Kosovës ishte luftë çlirimtare dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte bartësja e saj.
"Lufta e drejtë e popullit tonë ishte luftë çlirimtare. Bartëse e kësaj lufte ishte UÇK-ja. UÇK-ja është shprehja më e lartë politiko-ushtarake në historinë tonë çlirimtare, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit".
Ai ka folur edhe për historinë e konfliktit Kosovë-Serbi dhe për krimet e kryera gjatë luftës, duke pretenduar se planet për gjenocid ndaj shqiptarëve ishin hartuar paraprakisht nga institucionet serbe.
"Çdo gjenocid i Serbisë ishte më parë i shkruar në letër dhe më pas i zbatuar në praktikë. Janë 24 programe të zyrave të larta të shtetit dhe Akademisë Serbe për shfarosjen e shqiptarëve. Andaj, konflikti historik me disa luftëra gjatë një shekulli e gjysmë nuk ishte midis shqiptarëve dhe serbëve, por midis shqiptarëve si komb dhe Serbisë si shtet".
Duke iu referuar Projektligjit për Specialen, Kurti ka thënë se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për analizimin e tij dhe ka kundërshtuar, siç e ka quajtur ai, ngutjen në ndryshimin e ligjit.
"Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq, të nderuar deputetë. Ka qenë një kohë shumë e shkurtër për ta analizuar si duhet ligjin, aq më tepër kur ende nuk e kemi atë gjykimin e plotë. Këto lëvizje për ndryshimin e ligjit janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar e menduar sa duhet".




