Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në Manastir, në shënimin e 118-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Para të pranishmëve, Kurti ka folur për rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit, duke theksuar se vendimi për alfabetin e përbashkët ishte rezultat i debateve dhe dallimeve mes delegatëve, të cilët megjithatë arritën të gjenin një pikë të përbashkët.
Ai ka rikujtuar se në Kongresin e mbajtur më 22 nëntor 1908 morën pjesë rreth 50 delegatë, mes tyre edhe e vetmja grua, Parashqevi Qiriazi.
Kurtit tha se Kongresi la një mësim të rëndësishëm për shqiptarët, se bashkimi nuk nënkupton zhdukjen e dallimeve, por vendosjen e një synimi të përbashkët mbi interesat individuale.
“Atdhetarët e 1908-tës lanë një mësim të thjeshtë për ne, që ne do të duhej ta kishim ndërmend sa herë që duam ta arrijmë një synim bashkë me të tjerët. Marrëveshja nuk kërkon që të zhduken të gjitha dallimet, por kërkon që të vendosim mbi to diçka më të madhe se secili prej nesh veçmas”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka vënë në dukje se Kongresi nuk ishte vetëm një ngjarje gjuhësore, por edhe politike, pasi aty u artikuluan kërkesat për njohjen e kombësisë dhe gjuhës shqipe.
Në fjalimin e tij, kryeministri është ndalur edhe te sfidat e gjuhës shqipe në kohën e zhvillimit të teknologjisë, robotikës dhe inteligjencës artificiale.
Kurti ka thënë se akademitë, universitetet, ministritë e arsimit dhe institutet e gjuhës kanë përgjegjësi që të përkthejnë dhe përshtatin në shqip termat e rinj që po përdoren gjithnjë e më shumë në komunikimin e përditshëm.
“Shqiptarët ia kanë borxh këtë gjuhës së tyre, ngaqë ruajtja dhe mbrojtja më e mirë dhe më e suksesshme e gjuhës shqipe është pikërisht zgjerimi dhe përparimi i saj me fjalë e shprehje të reja për këto kohë të reja e kaq të shpejta të shekullit XXI”, ka thënë ai.
Në fund, Kurti ka përmbyllur fjalimin duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe ruajtjes së gjuhës shqipe.
“E ardhmja jonë është e shkruar në gjuhën e bukur shqipe”, ka deklaruar Kurti, duke përfunduar me urimin për 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit