Ministria e Mbrojtjes është në fazën e analizës përfundimtare se çfarë trupash të Forcës së Sigurisë do të zbarkojnë në Gaza.
Ministri Ejup Maqedonci tha se do të ketë një kombinim të kapaciteteve, meqë sipas tij nuk do ketë vetëm tipike ushtarake por edhe me deminim dhe kërkim-shpëtim. Ai nënvizon se pjesëmarrja e Kosovës në Forcën Stabilizuese për Gazën është një vendim strategjik për vendin, pavarësisht rrezikut që mund të paraqitet.
“Aktualisht, kur po flasim, jemi në fazën, mund të themi, të analizës përfundimtare se me çfarë trupash do të dislokohemi në, mund të themi, në Lindjen e Mesme për operacionin në kuadër të forcës stabilizuese. Bashkë me komandantin e FSK-së, jemi në fazat e fundit të përcaktimit për kapacitetet. Mirëpo, çka mund të them këtu është që do të kemi një kombinim të kapaciteteve, nuk do të ketë vetëm kapacitete tipike ushtarake, por nuk do të ketë as vetëm kapacitete tipike që kanë të bëjnë me deminim, me kërkim-shpëtim. Pra, do të jetë një kombinim. Mirëpo, ende jemi në pritje, mund të themi, të analizave, por edhe të një koordinimi përfundimtar me komandantin e forcës stabilizuese, gjeneralin amerikan, për të ardhur në përfundim se çfarë kapacitete do të kemi”, thotë ai për Kosova Press.
Sipas tij, pas miratimit të marrëveshjes në Qeveri dhe Kuvend, FSK-ja do të dërgojë disa njësi në Gaza për vlerësim të aspektit të rrezikut, duke marrë parasysh se në ky territor ende është një luftë aktive.
