Eksperti i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një vizite në Luginën e Preshevës, ku një qytetari i premtoi se brenda 48 orësh ai ose djali i tij do të kontaktohej për mundësinë e punësimit në Agjencinë e Informacionit dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
Kuçi e ka cilësuar këtë rast si më shumë sesa një premtim për punësim, duke e lidhur atë me mënyrën se si, sipas tij, pushteti në Beograd po ndërton kontroll politik dhe institucional në Luginën e Preshevës.
Sipas ekspertit të sigurisë, në regjimet autokratike shërbimet e inteligjencës mund të përdoren si instrument kontrolli mbi qytetarët, ndërsa edhe rekrutimi në këto struktura mund të ndikohet nga interesa politike.
Kuçi vlerëson se deklarata e Vuçiqit është veçanërisht domethënëse për shkak të faktit se bëhet fjalë për BIA-n, një prej institucioneve kryesore të sigurisë në Serbi.
Ai thotë se në Luginën e Preshevës po krijohet një klimë e vazhdueshme tensioni ndëretnik, ku serbët paraqiten si komunitet i kërcënuar, ndërsa Beogradi si mbrojtës i tyre.
“Në këtë kontekst, atij i nevojiten sa më shumë njerëz brenda institucioneve të sigurisë që janë të lidhur drejtpërdrejt me regjimin dhe të gatshëm të zbatojnë objektivat e tij politike”, ka shkruar Kuçi në X, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, mënyra e komunikimit të Vuçiqit në këtë rast ngjason me modelin politik të përdorur nga ish-presidenti serb Slobodan Millosheviq në Fushë Kosovë më 24 prill 1987, kur ai iu drejtua serbëve me mesazhin se “askush nuk guxon t’ju rrahë”.
Kuçi e lidh këtë qasje edhe me deklaratën e Vuçiqit se atë që shqiptarët në nivel lokal nuk e bëjnë për serbët, “ne do ta bëjmë për ju nga Beogradi”.
Sipas tij, kjo mënyrë e komunikimit e paraqet Beogradin si mbrojtës të serbëve ndaj shqiptarëve dhe njëkohësisht e etnizon qeverisjen lokale.
