Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i duhet të kërkojë buxhet nga Qeveria e Kosovës nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare pas dështimit të formimit të Qeverisë po shihet si një rrugë e pashmangshme, por për organizimin e tyre institucioni i zgjedhjeve nuk ka buxhet në llogari.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Indeksonline se në raste të tilla kur ndodhin zgjedhje të paplanifikuara, ky institucion do të veprojë si në rastet e kaluara.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për një proces të ri zgjedhor, i cili nuk është i planifikuar. Prandaj, nëse do ketë zgjedhje, KQZ-ja do të përgatis me kohë kërkesën buxhetore të cilën do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës. KQZ ka vepruar kështu edhe në rastet tjera kur kemi pasur zgjedhje të parakohshme apo që kanë ndodhur në një vit jo-zgjedhor”, tha Elezi.
