Një shtetas i Kosovës është identifikuar si pjesë e një grupi kriminal ndërkombëtar, i cili dyshohet për krim financiar dhe pirateri audiovizive, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Switch Off”.
Operacioni është zhvilluar më 22 janar nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa është koordinuar në nivel ndërkombëtar nga EUROPOL-i dhe Prokuroria Distriktuale e Republikës së Katanias.
Në Kosovë, veprimet operative janë realizuar nga Policia e Kosovës.
Më poshtë njoftimi i plotë:
Prishtinë, 28 janar 2026 – Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion policor më 22 janar të këtij viti, me qëllim të verifikimit, identifikimit, dhe sekuestrimit të provave relevante, në kuadër të një hetimi të përbashkët dhe të koordinuar nga EUROPOL-i dhe Prokuroria Distriktuale e Republikës së Katanias.
Urdhër kontrolli në Kosovë është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër krimit financiar dhe piraterisë audiovizive, që ka çuar në shpëlarjen e parave dhe përfitimeve financiare të kundërligjshme, në disa shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe në Kosovë.
Gjatë hetimeve të zhvilluara ka rezultuar se në mesin e të dyshuarëve të këtij grupi kriminal është edhe një shtetas i Kosovës, me inicalet P.B.
