Prokuroria Speciale e Kosovës ditë më parë ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, gjersa sipas aktakuzës në telefonin e tij është gjetur një fotografi e titulluar “Top Secret 2”, të cilën Prokuroria e ka përfshirë si një nga provat në rastin ku ai akuzohet për spiunazh dhe shantazh.
Sipas aktakuzës, dokumenti, të cilin Sheholli dyshohet se ia kishte dërguar një personi përmban një plan që synonte zgjerimin e ndikimit të radikalizimit islamik në Kosovë dhe rajon.
E sot, myftiu Naim Tërnava ka dalë me një deklaratë publike.
Ai kërkojn që të ndalen fushatat dhe gjuhët që synojnë të njollosin Bashkësinë Islame të Kosovës, institucionet e saj, xhamitë, medresetë, hoxhallarët dhe udhëheqësit e saj.
“Çdo pretendim duhet të mbështetet në fakte dhe prova dhe të trajtohet me përgjegjësi”, ka shkruar ai.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë deklaratën, pa ndërhyrje:
Deklaratë publike e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava për zbardhjen e së vërtetës rreth dokumentit “Top Secret” dhe pretendimeve të paraqitura në publik
Të nderuar dhe të çmuar qytetarë të Kosovës,
Të çmuar besimtarë,
Motra dhe vëllezër,
Me vëmendje dhe shqetësim kam përcjellë zhvillimet e ditëve të fundit, në një kohë kur në hapësirën publike janë shfaqur pretendime dhe qëndrime që prekin jo vetëm Bashkësinë Islame të Kosovës, por edhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve fetare dhe vetë kulturën e bashkëjetesës në vendin tonë.
Prej kohësh, ndaj besimit islam, trashëgimisë dhe rolit të Bashkësisë Islame të Kosovës është zhvilluar nga individë, grupe dhe shoqata të caktuara një diskurs mohues dhe denigrues, i cili në raste të caktuara është paraqitur në emër të një interpretimi të caktuar të shqiptarizmit dhe të “kthimit te rrënjët e të parëve”.
Dua të theksoj qartë se në Republikën e Kosovës besimi është i lirë. Çdo individ dhe çdo komunitet ka të drejtë ta jetojë, ta shprehë dhe ta manifestojë bindjen e vet fetare. Por liria e besimit dhe e shprehjes nuk mund të përdoret për të mohuar besimin e tjetrit, për të denigruar një komunitet fetar apo për të vënë në dyshim përkatësinë kombëtare të qytetarëve për shkak të bindjeve të tyre fetare.
Kosova është ndërtuar edhe mbi një traditë të bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve të saj. Dallimet fetare nuk kanë qenë dhe nuk duhet të bëhen burim përçarjeje. Përkundrazi, respekti, mirëkuptimi dhe bashkëjetesa janë vlera që duhet t’i mbrojmë dhe t’ua përcjellim brezave të ardhshëm.
Në këtë kontekst, publikimi i materialeve të paraqitura si pjesë e gjetjeve të Prokurorisë, përfshirë edhe materialet që lidhen me telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli dhe dokumentin e cilësuar në publik si “Top Secret”, ka krijuar një situatë që kërkon maturi, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, zbardhjen e plotë të së vërtetës.
Pikërisht për këtë arsye, u drejtohem qytetarëve, institucioneve kompetente, Prokurorisë Speciale dhe të gjitha organeve profesionale të Republikës së Kosovës me një kërkesë të qartë: çdo pretendim i paraqitur në publik duhet të verifikohet në mënyrë të plotë, profesionale dhe institucionale.
Në një dokument i tillë ekziston dhe nëse është autentik, duhet të bëhet e qartë kush e ka hartuar, nga cili burim ka ardhur, për çfarë qëllimi është përgatitur, në çfarë rrethanash është përdorur dhe çfarë vlere ka në aspektin faktik dhe provues.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak të përmbajtjes së pretenduar të këtij dokumenti. Sipas asaj që është bërë publike, në të Bashkësia Islame e Kosovës paraqitet si një institucion gjoja nën ndikimin ose kontrollin e shërbimeve të sigurisë së shtetit serb, ndërsa xhamitë dhe medresetë paraqiten si të ndërtuara apo të financuara nga Serbia, me pretendimin se përmes Bashkësisë Islame të Kosovës synohej shndërrimi i Kosovës në “Kandahar”.




