Me ftesë të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Andis Salla, ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, me fokus forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy vendeve.
Gjatë vizitës, ministrat nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi, të cilat synojnë avancimin e politikave të përbashkëta në sektorin agro-ushqimor, rritjen e standardeve në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitetit, si dhe thellimin e koordinimit institucional.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, marrëveshjet parashohin gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit në zhvillimin rural, mbështetjen e fermerëve përmes politikave bujqësore dhe skemave financiare, si dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
