Kongresisti amerikan, Keith Self, gjatë një seance të djeshme dëgjimore në Komitetin për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, dha dy deklarata të fuqishme, duke riafirmuar rëndësinë strategjike të Kosovës për NATO-n, stabilitetin rajonal dhe interesat kombëtare të ShBA-së në Ballkanin Perëndimor.
Si kryetar i Nënkomisionit për Evropën, kongresisti Self e përshkroi Kosovën si “një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë evropianë të Shteteve të Bashkuara”, duke paralajmëruar se refuzimi i vazhdueshëm i disa anëtarëve të NATO-s për ta njohur Kosovën “minon stabilitetin afatgjatë në Ballkan dhe forcon ndikimin e kundërshtarëve si Rusia”.
“Unë kryesoj nënkomitetin për Evropën të këtij komiteti, dhe kemi paqëndrueshmëri në rajonin e Ballkanit, dhe për këtë arsye ofroj këtë amendament. Përderisa ekzistojnë përpjekje të përbashkëta të fuqishme ushtarake mes ShBA-së dhe Greqisë, ata mbesin në listën e ngushtë të katër aleatëve të NATO-s që refuzojnë njohjen e sovranitetit të Kosovës”.
“Këto vende partnere të NATO-s i janë bashkuar Kinës, Rusisë e Serbisë në refuzimin e tyre për të njohur pavarësinë e Kosovës. Partnerë të afërt që edhe kundërshtarët tanë refuzojnë njohjen sepse e dinë që Kosova është qenësore për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Ndikimi i Rusisë në Ballkan është i njohur, dhe po rritet”, tha Self.
Duke iu referuar rolit të tij në planifikimin e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 kundër spastrimit etnik serb, Self theksoi se Kosova ka dëshmuar përkushtim të qartë ndaj demokracisë, sigurisë rajonale dhe bashkëjetesës multietnike, duke paraqitur një argument të fortë për anëtarësim në NATO.
“Mund të ju them se Kosova është qartësisht një prej partnerëve më të afërt dhe më besnikë evropianë të ShBA-së. Të gjitha këto validojnë një rast bindës për anëtarësim në NATO dhe stabilitet në Ballkan. Dhe përderisa Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia refuzojnë njohjen e aleatit tonë ballkanik, nuk do të ketë rrugë të anëtarësimit të aspiruar të Kosovës në NATO”, tha kongresisti amerikan.
