Kongresisti amerikan Keith Self zhvilloi sot në Maqedonia e Veriut takime të ndara me përfaqësues të Lëvizjes Studentore shqiptare dhe liderë të opozitës shqiptare, ku u diskutua për zhvillimet politike në vend, pozitën e shqiptarëve dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Në takimin me përfaqësuesit e Lëvizjes Studentore shqiptare morën pjesë Mevlan Ademi, Besar Sejdiu dhe Jon Selimi, të cilët paraqitën shqetësimet e tyre lidhur me moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe tendencat që, sipas tyre, cenojnë të drejtat e fituara të shqiptarëve.
Përfaqësuesit studentorë theksuan rëndësinë e mbrojtjes së gjuhës shqipe, respektimit të barazisë kushtetuese dhe ruajtjes së frymës së bashkëjetesës e të përfaqësimit të garantuar me Marrëveshjen e Ohrit.
Më pas, kongresisti Self zhvilloi takim edhe me liderët e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku morën pjesë Ali Ahmeti dhe Zijadin Sela.
