Brikena Muharremi i është bashkuar ish-presidentes Vjosa Osmani në rrugëtimin e saj poltik për zgjedhjet e 7 qershorit.
“Nga bankat e mbyllura të shkollave shqipe në Mitrovicë, deri te sallat e drejtësisë në Britaninë e Madhe, Brikena Muharremi është dëshmi se si mund të arrihen majat më të larta pa harruar kurrë rrënjët e veta.
Brikena Muharremi i përket atij brezi që, me punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, arritën të ndërtojnë emër në sistemet më konkurruese ndërkombëtare, pa e humbur asnjëherë lidhjen me Kosovën dhe komunitetin shqiptar.
Si nxënëse e shkëlqyer në Kosovë, ajo u detyrua të largohej nga vendi pas mbylljes së shkollave shqipe nga regjimi serb. Në Britani vazhdoi studimet për drejtësi, ku u diplomua me rezultate të larta dhe u bë avokatja e parë shqiptare e kualifikuar në Britaninë e Madhe.
Për më shumë se dy dekada, Brikena ka ushtruar profesionin e barrister-it në Angli dhe Uells, duke punuar në një prej sistemeve juridike më të avancuara në botë dhe duke përfaqësuar edhe institucione shtetërore britanike në procese komplekse e të profilit të lartë.
