Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar se ka planifikuar për të enjten mbajtjen e takimit të 371-të, pas dështimit të dy takimeve paraprake konkretisht ai i datës 24 korrik dhe tjetri i 7 gushtit 2026.
Sipas agjendës së takimit, në rend dite janë 35 pika, ndër to edhe zgjedhja e zëvendëskryesuesit, shqyrtimi i kërkesës së U.D Presidentes dhe i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqje të dorëheqjeve, si dhe shpallja e konkursit për Kryetar të Gjykatës Themelore në Ferizaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kujtojmë se u.d Presidentja Albulena Haxhiu përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 tek kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli t’i japë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.
“Mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë kaq të gjatë cenon sigurinë juridike, pengon funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe ndikon në efikasitetin e institucioneve përgjegjëse”, thuhej ndër të tjera në letër.

