Shkruan: Ibish Neziri
Dashka Daçiqi që flamuri serb të valojë mbi Prizren!
«Herët a vonë flamuri serb do të valojë mbi Prizren, të jeni të sigurt», paska deklaruar Ivica Daçiqi më 7 tetor 2026, në një tubim zgjedhor në Rashkë.
Vërtet interesant! Por dëshirat dhe realiteti vështirë të jenë gjithmonë në të njëjtën vijë. Madje, në rastin e Daçiqit dhe daçiqëve të tjerë, ato janë aq larg njëra-tjetrës, sa ndërmjet tyre qëndrojnë jo vetëm dekada historie, por edhe lumenj gjaku, luftëra të humbura, kufij të ndryshuar dhe ëndrra pushtuese të fundosura në rrjedhën e historisë.
Dashka Daçiqi që flamuri serb të valojë mbi Prizren! Ani, le të dojë! Dëshira është e lirë, madje edhe atëherë kur është e marrë. Njeriu mund të dëshirojë gjithçka. Mund edhe të ëndërrojë me sy hapur. Por as dëshirat dhe as ëndrrat nuk janë argumente historike, aq më pak të drejta për të sunduar mbi popuj e territore të huaja.
Në të vërtetë, Daçiqi dhe daçiqët e tjerë nuk e duan vetëm Prizrenin. Nuk e duan vetëm Kosovën. Horizonti i ëndrrave të shkollës së tyre politike është shumë më i gjerë. Ai shtrihet deri te projektet e vjetra të ekspansionizmit serb, kur synohej dalja në Adriatik përmes tokave shqiptare, kur Durrësi shihej si port i lakmuar dhe kur Shqipëria e Veriut trajtohej si hapësirë për t'u pushtuar e jo si vend i një populli me historinë dhe të drejtat e veta.
Prandaj, dëshira e Daçiqit për flamurin serb mbi Prizren nuk është ndonjë shpikje e re. Është jehonë e një mendësie të vjetër, e një politike që hartat i ka parë si territore për t'u zgjeruar, ndërsa popujt e tjerë si pengesa që duhen nënshtruar.
Historia e ka njohur këtë mendësi. E ka njohur më 1912 e 1913, kur ushtritë serbe depërtuan në trojet shqiptare dhe arritën deri në Adriatik. E ka njohur gjatë sundimit jugosllav mbi Kosovën dhe e ka përjetuar në formën e saj më brutale në fund të shekullit XX, kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit u përpoq ta ruante me dhunë atë që nuk mund ta mbante më me vullnetin e popujve.
Por historia ka edhe një veçori që Daçiqi dhe daçiqët e tjerë duket se nuk duan ta kuptojnë: ajo nuk ecën sipas dëshirave të atyre që kanë humbur betejat me të.
Daçiqi mund ta dëshirojë flamurin serb mbi Prizren. Mund ta dëshirojë edhe mbi Prishtinë, Pejë, Gjakovë e kudo tjetër. Por flamuri serb mund të valojë në Prizren edhe sot, si simbol kombëtar e kulturor i qytetarëve serbë që jetojnë atje, të cilët kanë të drejtat e tyre të garantuara. Tjetër gjë është të valojë një flamur si simbol i një komuniteti dhe krejt tjetër të kërkohet që ai të valojë mbi një qytet si shenjë e sovranitetit të një shteti tjetër.
Pikërisht këtë dallim Daçiqi nuk dëshiron ta pranojë.
Madje, ka një ironi të veçantë në këtë histori. Daçiqi ka lindur në Prizren. Por fakti që një politikan ka lindur në një qytet nuk e bën atë qytet pronë të shtetit që ai përfaqëson. Vendlindja është lidhje personale, emocionale e biografike. Nuk është dokument pronësie politike dhe as argument për ndryshimin e kufijve.
Megjithatë, Daçiqit nuk duhet parë shumë për të madhe. Ai është produkt i një shkolle politike që ka një origjinë të qartë dhe një histori të përgjakshme. Është nxënës politik i Sllobodan Millosheviqit, njeriut që në kujtesën e shumë popujve të Ballkanit mbeti si kasapi i Ballkanit.
Daçiqi nuk ishte një vëzhgues i rastësishëm i asaj kohe. Nuk ishte as një qytetar i zakonshëm që nuk kishte lidhje me pushtetin. Ai ishte pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste të Serbisë dhe zëdhënës i saj gjatë viteve 1992–2000, pikërisht në periudhën kur politika e Millosheviqit po linte pas vetes qytete të shkatërruara, varreza masive, qindra mijëra njerëz të dëbuar dhe një Ballkan të zhytur në gjak.
Ai ishte njëri prej atyre që i jepnin zë asaj politike, që e përfaqësonin dhe e mbronin publikisht. Përgjegjësia e tij politike për atë angazhim nuk mund të fshihet vetëm pse kanë kaluar vitet dhe janë ndërruar postet qeveritare.
Duhet kujtuar se politika e Millosheviqit nuk u shfaq vetëm në Kosovë. Përpara saj ishin luftërat në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë, me shkatërrime, dëbime, masakra dhe krime të dokumentuara nga drejtësia ndërkombëtare. Kurse në Kosovë, në vitet 1998–1999, makineria shtetërore serbe dhe jugosllave ndërmori një fushatë dhune e dëbimi kundër popullsisë shqiptare.
Në pranverën e vitit 1999, qindra mijëra shqiptarë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre. U vranë civilë, u dogjën shtëpi dhe shumë objekte kulti, u shkatërruan vendbanime dhe u kryen krime që më vonë u vërtetuan edhe me vendime gjyqësore ndërkombëtare.
E gjithë kjo ndodhte në kohën kur Daçiqi ishte zëdhënës i partisë së Millosheviqit. Nuk ishte ndonjë kalimtar i rastit, as një vëzhgues i ngjarjeve, por njëri prej njerëzve që i jepnin zë politikës së Millosheviqit, që e përfaqësonin dhe e mbronin atë publikisht. Prandaj, Daçiqi nuk mund të shkëputet nga historia e asaj politike dhe as nga përgjegjësia për rolin që ka luajtur në përfaqësimin e saj. Ndërrimi i kohëve, i posteve dhe i rrethanave politike nuk e ndryshon të kaluarën.
Në këtë kontekst duhet parë edhe deklarata e tij për flamurin serb mbi Prizren, sepse ajo vjen nga një politikan i formuar në shkollën politike të Millosheviqit, i cili jo vetëm që vazhdon ta përfaqësojë partinë e tij, por edhe të shfaqë pretendime që rikujtojnë politikën e asaj kohe.
Po çfarë ndodhi me politikën e Millosheviqit, të cilën Daçiqi dikur e përfaqësonte dhe e mbronte me aq zell?
Dhe këtu qëndron tragjikomedia e kësaj politike.
Dikur kishin ushtri, polici, tanke, artileri dhe tërë aparatin shtetëror të dhunës. Kishin pushtetin dhe besonin se mund ta ndryshonin realitetin demografik e politik të Kosovës me dëbime, vrasje e terror. Por e humbën atë pushtet. Më 1999 përfundoi sundimi i tyre efektiv mbi Kosovën. Më 2008 Kosova shpalli pavarësinë, ndërsa më 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e saj nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Tani, pasi e humbën atë që mendonin se do ta ruanin me tanke, kërkojnë ta kthejnë me deklarata.
Çfarë ironie historike!
Flamurin që nuk arritën ta mbanin mbi Kosovë me tërë forcën ushtarake e policore të Jugosllavisë së Millosheviqit, Daçiqi shpreson ta kthejë me fjalime politike.
Dëshirat dhe ëndrrat e tyre kanë mbetur vetëm dëshira dhe ëndrra. Por përpjekjet për t'i realizuar me metodat e dikurshme u fundosën në pellgjet e gjakut që politika e tyre la anembanë ish-Jugosllavisë. Ajo politikë përfundoi me humbje, me shkatërrime, me gjykime për krime lufte dhe me pasoja që edhe vetë Serbia vazhdon t'i bartë.
Por këtu shtrohet edhe një pyetje tjetër, ndoshta më e rëndësishmja për vetë qytetarët e Serbisë: Ku e çojnë Serbinë dhe popullin serb këto dëshira?
Ku e çuan dje dhe ku mund ta çojnë nesër?
Përgjigjja e parë gjendet në historinë jo shumë të largët. Politika e Millosheviqit, me pretendimet e saj territoriale dhe me përpjekjet për t'i realizuar ato përmes dhunës, nuk u solli fatkeqësi vetëm popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë. Ajo i solli fatkeqësi edhe vetë popullit serb.
Luftërat lanë pas mijëra të vrarë, të shpërngulur, shkatërrime ekonomike, sanksione, izolim ndërkombëtar dhe një trashëgimi politike e morale, pasojat e së cilës ndihen edhe sot. Një politikë që premtonte madhështi kombëtare përfundoi duke ia ngarkuar popullit të vet një barrë të rëndë historike.
Dhe çfarë ofrojnë sot Daçiqi dhe daçiqët e tjerë?
Përsëri të njëjtat ëndrra! Përsëri të njëjtat pretendime! Përsëri të njëjtën retorikë që, në vend se ta drejtojë Serbinë nga e ardhmja, e mban të lidhur pas humbjeve të së kaluarës.
A e kanë pyetur ndonjëherë veten se çfarë fiton një i ri serb nga ëndrra e Daçiqit për flamurin serb mbi Prizren? A i siguron ajo punë, mirëqenie, liri, perspektivë apo një jetë më të mirë? A i hap ajo dyert e universiteteve dhe të botës? A ia përmirëson jetën një familjeje serbe në Beograd, Nish, Kragujevc apo në cilindo qytet tjetër?
Apo vetëm ia trashëgon brezit të ri barrën e një konflikti që brezat e mëparshëm e paguan aq shtrenjtë?
Çfarë fiton Serbia nga politikanët që vazhdimisht i flasin për rikthimin e sundimit mbi territoret që dikur i kishte pushtuar dhe i mbante nën pushtetin e saj, në vend që t'i flasin për mundësitë që mund t'i krijojë? Çfarë fiton populli serb nga mbajtja gjallë e bindjes se një ditë do të rikthehet sundimi mbi Kosovën?
A nuk do të ishte më e arsyeshme që energjia politike dhe shoqërore të përqendrohej te zhvillimi ekonomik, te demokracia, te arsimimi, te mirëqenia dhe te marrëdhëniet e mira me fqinjët?
Por për këtë do të duhej diçka që Daçiqi dhe daçiqët e tjerë duket se e kanë veçanërisht të vështirë: ballafaqimi me realitetin dhe me përgjegjësinë për të kaluarën.
Sepse është shumë më lehtë t'i premtosh një populli flamurin mbi një qytet që nuk e kontrollon sesa t'i japësh përgjigje pyetjes se përse ka mbetur i ngarkuar me aq shumë probleme të trashëguara nga politika e dikurshme.
Është shumë më lehtë të mbash fjalime për Prizrenin sesa të flasësh për gabimet që çuan në përfundimin e sundimit të Beogradit mbi të.
Është shumë më lehtë të ushqesh nostalgji për të kaluarën sesa të ndërtosh perspektivë për të ardhmen.
Dhe këtu qëndron një tjetër përgjegjësi e rëndë politike e Daçiqit dhe e atyre që mendojnë si ai. Duke e mbajtur gjallë iluzionin e rikthimit të sundimit mbi Kosovën, ata rrezikojnë ta mbajnë peng edhe vetë Serbinë.
Sepse shoqëria që ushqehet vazhdimisht me premtime për rikthimin e së kaluarës rrezikon të humbasë energjinë për ndërtimin e së ardhmes.
Kjo nuk do të thotë se të gjithë serbët mendojnë si Daçiqi. Përkundrazi, edhe në Serbi ka njerëz, intelektualë, gazetarë, organizata dhe qytetarë që e kundërshtojnë nacionalizmin, që kërkojnë ballafaqim me të kaluarën dhe që dëshirojnë marrëdhënie paqësore me fqinjët.
Pikërisht për këtë arsye duhet bërë dallimi ndërmjet popullit serb dhe atyre politikanëve që pretendojnë të flasin në emër të tij.
Populli serb nuk është përgjegjës kolektivisht për çdo deklaratë të Daçiqit. As brezat e rinj nuk duhet të mbajnë përgjegjësi kolektive për krimet dhe gabimet e atyre që u kanë paraprirë. Por ata kanë të drejtë të kërkojnë që e ardhmja e tyre të mos mbahet peng nga ambiciet e vjetra politike.
Daçiqi dhe daçiqët e tjerë mund ta mohojnë realitetin sa të duan, por mohimi nuk e ndryshon historinë. Një popull nuk mund të mbahet pafundësisht nën sundim kundër vullnetit të tij. Aq më pak mund të rivendoset sundimi i dikurshëm mbi të duke përsëritur parullat e atyre që e çuan vendin e tyre nga njëra humbje në tjetrën.
Nëse Daçiqi e do vërtet Prizrenin si qytetin ku ka lindur, askush nuk ia ndalon ta kujtojë me mall. Mund edhe ta vizitojë, natyrisht në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës. Mund të ecë rrugëve të tij, të shohë Lumbardhin, Kalanë, urat e vjetra dhe trashëgiminë e pasur të atij qyteti. Mund të kujtojë fëmijërinë, familjen e gjithçka tjetër që e lidh me vendlindjen.
Por një gjë duhet ta ketë të qartë: Prizreni nuk është plaçkë lufte, as trofe i humbur që duhet rifituar. Është qytet i Kosovës, me historinë, qytetarët dhe institucionet e saj.
Prizreni ka qenë dhe mbetet qytet ku ndërthuren kultura, gjuhë, fe dhe tradita të ndryshme. Pikërisht kjo trashëgimi e bën atë të veçantë. Ajo nuk ka nevojë për flamuj që shpallen si simbole pushtimi, por për respektimin e të gjithë qytetarëve që jetojnë në të.
Flamuri serb mund të valojë në Prizren si simbol i përkatësisë kombëtare të qytetarëve serbë që jetojnë aty, por kjo nuk i jep Serbisë asnjë të drejtë për të rivendosur sundimin mbi Prizrenin dhe as Daçiqit ndonjë arsye për të pretenduar sovranitet mbi të. Ndonëse ai, me sa duket, nuk kënaqet me kaq dhe dëshiron shumë më tepër, ani, le të dëshirojë, sepse dëshirat e tij nuk e ndryshojnë realitetin dhe as e bëjnë Prizrenin pjesë të Serbisë.
Prandaj, problemi nuk është se Daçiqi ëndërron. Problemi është se ai dhe politikanë të tjerë të së njëjtës shkollë vazhdojnë t'ua shesin qytetarëve të Serbisë ëndrrat e dikurshme për sundimin mbi Kosovën si perspektivë politike. Në vend që t'u flasin për përgjegjësinë historike, për krimet, për fqinjësinë dhe për të ardhmen, vazhdojnë t'i ushqejnë me mitin se një ditë Serbia mund ta rivendosë sundimin e saj mbi Kosovën, të cilin e humbi në vitin 1999.
Kjo është një nga mënyrat më të sigurta për ta mbajtur një shoqëri peng të së kaluarës.
Sepse nuk është tragjike që një politikan ëndërron. Tragjike është kur një klasë politike për dekada të tëra nuk arrin ta dallojë ëndrrën nga realiteti, mitin nga historia dhe pretendimin territorial nga e drejta e një populli për të jetuar i lirë.
Daçiqi është i lirë të dëshirojë. I lirë të ëndërrojë. I lirë madje edhe ta përfytyrojë flamurin serb mbi Prizren, mbi Prishtinë apo deri në brigjet e Adriatikut, si në projektet e dikurshme të ekspansionizmit serb. Ëndrra nuk njeh kufij. Por shtetet kanë kufij, popujt kanë të drejta dhe historia ka dhënë mësime që nuk mund të zhbëhen me fjalime.
Në fund të fundit, Daçiqit as nuk duhet t'i zemërohemi pse vazhdon të flasë gjuhën e shkollës politike nga e cila ka dalë. Ai është nxënës i Millosheviqit dhe nuk është çudi që vazhdon të mendojë me kategoritë politike të mësuesit të tij.
Por një gjë duhet ta ketë mësuar nga fati i atij mësuesi: Me dëshira mund të ndërtohen mite, me propagandë mund të mashtrohen njerëzit, por as me njërën dhe as me tjetrën nuk mund të zhbëhet realiteti historik.
Dhe, mbi të gjitha, duhet ta ketë mësuar se çmimin e politikave të tilla nuk e paguajnë vetëm popujt mbi të cilët pretendohet të sundohet. Atë çmim e paguan edhe populli në emër të të cilit bëhen pretendimet.
Flamuri serb mbi Prizren, si simbol i pushtetit të Beogradit, i përket së kaluarës që Daçiqi vazhdon ta ëndërrojë.
Ndërsa Prizreni i përket realitetit.
Dhe realiteti, për fatin e keq të Daçiqit dhe të daçiqëve të tjerë, nuk u bindet ëndrrave të tyre.
Pyetja që mbetet është nëse Serbia do të vazhdojë të jetojë me ëndrrat e Daçiqit, apo do të zgjedhë të ndërtojë një të ardhme që nuk përcaktohet prej tyre.
Këndvështrime
Dashka Daçiqi që flamuri serb të valojë mbi Prizren!




