Policia ka realizuar dy ekstradime nga Gjermania dhe Hungaria drejt Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për luftimin e kriminalitetit dhe zbatimin e urdhrave ndërkombëtarë të arrestit.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 12 gusht 2026, nga Gjermania është ekstraduar në Kosovë shtetasi kosovar me inicialet M.T., i cili kërkohej nga institucionet e drejtësisë në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar.
M.T. dyshohet se është i përfshirë në veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
“Pas ekstradimit, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të policisë nga DRP Prishtinë për procedura të mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkaq, më 13 gusht 2026, nga Hungaria është ekstraduar drejt Kosovës shtetasi i Serbisë me inicialet I.S., i cili po ashtu kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë.
Edhe ndaj tij ekziston dyshimi për përfshirje në veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.


