Katër persona kanë mbetur të plagosur sot pas një përplasjeje me armë zjarri në sheshin kryesor të Podujevës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 kur në shesh ka pasur edhe kalimtarë të tjerë.
Kjo ka çuar edhe në plagosjen e një personi i cili ka qenë kalimtar i rastit.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Prishtinës, Basri Shabani, ka thënë se fatmirësisht kalimtar i rastit është i plagosur lehtë dhe se të katër personat e lënduar po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në media janë publikuar edhe pamje të shumta kur ka ndodhur incidenti, ku një prej personave të dyshuar shihet teksa e godet një tjetër me armë në kokë.
Në mes të kësaj ngjarjeje ka ndërhyrë edhe një polic civil, i cili çarmatos një prej personave që është përfshirë në këtë incident.
