Të martën në mbrëmje, Senati amerikan nuk arriti të miratonte një projektligj për shpenzimet që do të kishte mbajtur të financuar qeverinë federale, dhe për herë të parë pas gati shtatë vitesh, operacionet federale janë shkurtuar në mënyrë drastike.
Në një moment të caktuar, kjo mbyllje si të gjitha të mëparshmet, do të marrë fund. Por se kur, kjo ende nuk dihet. Mbyllja e qeverisë mund të zgjasë disa ditë, mund të zgjasë javë, por përfundimisht, teksa rritet presioni publik, njëra palë apo tjetra do të tërhiqet.
Ka katër skenarë se si mund të zhvillohet kjo situatë:
1. Demokratët të thyhen shpejt
Senatorët demokratë rrëzuan një projektligj shpenzimesh të propozuar nga republikanët që do të mbante qeverinë të hapur deri në nëntor, por ky votim mund të ketë përmbajtur edhe “farat” e disfatës së tyre. Ndërsa 44 demokratë (dhe republikani i pavarur Rand Paul) votuan kundër, dy demokratë dhe një i pavarur aleat i demokratëve votuan me shumicën republikane.
I pavaruri Angus King nga Maine është gjithmonë një lloj faktori i paparashikueshëm. John Fetterman nga Pensilvania ka ndjekur rrugën e tij që prej gati një viti. Por Catherine Cortez Masto nga Nevada, ndonëse nuk është një zë i ashpër liberal, nuk është as ndonjë rebele politike e zakonshme. Megjithatë, ajo do të jetë në garë për rizgjedhje vitin tjetër në një shtet që Donald Trump e fitoi në vitin 2024 dhe që prej vitesh po anon gradualisht nga republikanët.
Në deklaratën e saj, kur shpjegoi votën pro, Cortez Masto shprehu shqetësimin për ndikimin ekonomik që mbyllja e qeverisë mund të ketë në Nevada. Mund të jetë gjithashtu e shqetësuar për ndikimin që kjo do të ketë mbi perspektivat e saj politike, si një kandidate që përballet me votues të zemëruar.
Ajo nuk është e vetmja demokrate nga një shtet i pavendosur që do të jetë në fletën e votimit në vitin 2026. Demokratë në Georgia, Virginia dhe Colorado gjithashtu mund të fillojnë të ndiejnë presionin. Dhe ndonëse senatorë nga Minnesota, Michigan dhe New Hampshire kanë vendosur të mos rikandidojnë, ata mund të shqetësohen se mbyllja e qeverisë rrezikon kontrollin e demokratëve në këto vende.
Udhëheqësi republikan në Senat, John Thune, thotë se tashmë po dëgjon nga disa demokratë që nuk po ndihen rehat me mënyrën si po zhvillohet mbyllja. Ai planifikon një sërë votimesh për financimin në ditët në vijim për të rritur presionin.
Nuk pati “dezertime” të reja gjatë votimit të së mërkurës, por nëse edhe pesë demokratë të tjerë ndahen nga linja e partisë, mbyllja mund të marrë fund, pavarësisht se çfarë dëshiron pjesa tjetër e partisë.
2. Demokratët të tërhiqen
Edhe nëse demokratët mbeten relativisht të bashkuar, presioni ndaj tyre për t’u tërhequr do të rritet ndërsa mbyllja vazhdon. Punonjësit e qeverisë janë një nga segmentet më besnike të bazës së Partisë Demokrate, dhe ata do të jenë të parët që do të ndiejnë dhimbjen nga pagesat e vonuara dhe mundësia që administrata Trump të përdorë mbylljen për të reduktuar më tej programet dhe për t’i kthyer pushimet e përkohshme në papunësi të përhershme. E gjithë popullsia amerikane gjithashtu do të fillojë të ndiejë efektet përmes shërbimeve të ndërprera dhe trazirave ekonomike.
Zakonisht, partia që shkakton mbylljen dhe paraqet kërkesat politike, në këtë rast, demokratët, është ajo që merr fajin e opinionit publik. Nëse kështu ndodh, partia mund të konkludojë se ka bërë sa ka mundur për të dërguar mesazhin dhe se tani është koha të minimizojë dëmin.
