Në 28-vjetorin e masakrave në Likoshan dhe Qirez, një dëshmi rrëqethëse vjen nga një prej të mbijetuarve, një baba nga Drenica, të cilit forcat serbe ia vranë katër djemtë në oborrin e shtëpisë.
Shermet Sejdiu me zërin që i dridhet nga dhimbja kujton ditën kur bota e tij u përmbys, një tragjedi që la gjurmë të pashlyeshme edhe në historinë e Kosovës.
Gjithçka nisi papritur. I moshuari tregon se atë ditë ndodhej në Prishtinë, kur dëgjoi për luftimet që kishin nisur në Prekaz dhe Llaushë. I shqetësuar u kthye me nxitim, por u detyrua të strehohej në një mal aty pranë. Prej andej, pa me sytë e tij tmerrin teksa shtëpitë digjeshin e flakët gllabëronin gjithçka.
“Kur filluan ngjarjet në Likushan dhe Qirez, atë ditë sikur sot që më keni ardhur… Nesër bëhen 28 vjet që janë vrarë djemtë këtu. Unë kam shkuar në Prishtinë me ndejt, e kam pasur motrën të gjallë atje, kam ndejt atë natë, kemi ardhur diku te Kroni i Mbretit, kam ni që Prekazi e Llausha po luftojnë, kam ardhe në Drenas në këmbë. E pashë nuk ka këndej asgjë, ishte një grup me njerëz, fola me ta, e çuan një djalë tha Prekazi dhe Qirezi, tha na jemi prej Prekazit,edhe djemtë e tjerë i ka thënë, që po luftojnë. Kam ardhur, kam ndejt në një mal, Kamenicë thirret…Aty kanë gjuajtur dy helikoptera, sa kanë mujt tëra shtëpitë, përveç një e jeme se nuk dukej prej atje…
Më kanë vrarë katër djemtë e mi, edhe dy të tjerë, biri i Seferit të Nebiut Iliri, edhe Beqir Rexhepi, këtu janë vrarë gjashtë në oborrin tim.Shqiptarë. Këta katër djemtëq e mi, edhe ata që i kam si vëllezër, të vendit tonë”, rrëfen Sejdiu.
Tragjedia e familjes së tij ishte pjesë e një fushate më të gjerë terrori. Atë ditë, në rajon u vranë gjithsej 24 persona, ku familja Ahmeti nga Likoshani pësoi goditjen më të rëndë, duke humbur 11 anëtarë.
“ Kam ndejt atë natë atje gjithë natën në mal, jemi sjellë përreth, kam parë se ku janë …Vëllain e Xhemshitit e takova e më tha është vrarë Xhemshiri, Rukia, edhe babën e kanë plagosur… Në ora 3:00 filluan të ikin forcat… Kam ardhur te shtëpia, këtu kanë qenë nja 10.000 veta duke shikuar,kur erdha këtu, robtë i kisha pasur te një kushëri. Doli gruaja, tha mbetem pa djemë. Thashë çka të ketë thënë Zoti. Thashë kadalë të bëhemi të forte, Zoti si ka thënë . Edhe… thashë, ‘ti rri këtu, po shkoj te shtëpia’ . Prej atje i pashë dy të vrarë. Dy djemtë të vdekur…Dy i kishin futur brenda, këtu kur del një kushëri, tha, pasha Zotin , shko shihi.Thashë, dy po i shoh të vrarë aty.Kur erdha, katër të vrarë. Nuk është lehtë, është rëndë. Na kanë zënë si në gjumë, papritmas”, tha Sejdiu.
