Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, njëherësh njëri nga kryetarët e Guxo, është deklaruar lidhur me çështjen e presidentit, temë kjo shumë e përfolur pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe mundësisë për një tjetër proces zgjedhor në muajin mars.
I ftuar në DPT te Fidani në Klan Kosova, Peci i prerë tha se nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrin ta zgjedhë presidentin e shtetit më 4 mars, vendi do të shkojë në zgjedhje.
Kur u pyet nëse mund të quhet kërcënim kjo deklaratë e thënë edhe nga kolegët e tij të koalicionit, ai e kishte një përgjigje, transmeton Klankosova.tv
“Çështja e presidentit, ajo që dihet me saktësi, me datën 4 mars, në rast se Kuvendi i Kosovës nuk e zgjedh presidentin/presidenten, vendi shkon në zgjedhje me automatizëm. Ky nuk është kërcënim, veç po konstatoj në aspektin kushtetues dhe ligjor. Nuk është kërcënim. Kuvendi i Kosovës duhet me zgjedh presidentin ma së largu me datën 4 mars. Në rast se më 5 mars, Kosova s’ka president të votuar në Kuvend, me automatizëm, shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.“ – tha Peci.
Megjithatë, Peci u shpreh se presidenti do të zgjedhet dhe skena politike do të arrijë ta zgjidh këtë krizë, siç e quajti ai.
