Deputeti i vetëm shqiptar në Luginën e Preshevës, Shaip Kamberi, ka kritikuar mungesën e transparencës për qindra milionë euro që Serbia ndan çdo vit për serbët në Kosovë, duke akuzuar njëkohësisht pushtetin serb për bllokimin e mjeteve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Në një reagim të publikuar nga Koalicioni Shqiptar, Kamberi ka kërkuar llogaridhënie për fondet publike të Serbisë dhe zhbllokimin e mjeteve që Kosova ndan për projekte konkrete në mbështetje të komunitetit shqiptar në Luginë.
Kamberi i është referuar deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të bërë më 13 shtator 2022 në Kuvendin e Serbisë, kur ai kishte deklaruar se shteti serb ndan nga 700 deri në 820 milionë euro në vit për Kosovën.
Sipas deputetit shqiptar, pavarësisht shumave të deklaruara, nuk është bërë e qartë se ku përfundojnë këto para dhe kush mban përgjegjësi për shpenzimin e tyre.
“Në Kuvendin e Serbisë, A. Vuçiq kishte deklaruar se Serbia ndan për ‘çdo vit 700-820 milionë’ euro për Kosovën pa theksuar se kujt i paguhen këto para dhe kush i kontrollon. U pranua se shuma e saktë nuk dihej dhe se jo të gjitha mjetet kalonin përmes të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovën’”, ka shkruar Kamberi
Ai ka ngritur pikëpyetje edhe për destinimin e pjesës tjetër të fondeve, duke u bazuar në vlerësimet për shumat që ndahen përmes Zyrës për Kosovën dhe ministrive të tjera të Serbisë.
“Nëse vlerësimet për 100-180 milionë euro për Zyrën për Kosovën dhe rreth 100 milionë përmes ministrive të tjera janë të sakta, ku përfundojnë qindra milionët e mbetur? Kush i përfiton dhe kujt i jep llogari?”, ka pyetur deputeti.




