Si i hodhi poshte CIA akuzat për tregti organesh para Kongresit amerikan? Si u bë që Administrata e Presidentit Obama t’a ndryshon qëndrimin rreth Gjykatës Speciale, si një koncesion politik ndaj përfshirjes së Rusisë në marrëveshje me Iranin rreth armëve bërthamore? Si filloi presioni amerikan ndaj lidershipit Kosovar për aprovim të Gjykatës Speciale? Si u pendua Kongresmeni Engel që morri pjesë në presionin diplomatik ndaj Hashim Thaçit për krijimin e Gjykatës?
Një opinion i fundit mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës jep informata ekskluzive rreth historisë dhe mënyrës së krijimit, mandatit dhe legjitimitetit të kësaj gjykate ndërkombëtare me seli në Hagë. Autor i shkrimit të botuar në portalin “Bridges of Memory”, dedikuar drejtësisë tranzicionale dhe historisë, është Jason Steinbaum, ish Drejtori i Stafit pranë Komisionit për Punë të Jashtme në Kongresin amerikan, i cili për 30 vjet rresht ishte edhe shefi i stafit të Kongresmenit Eliot Engel dhe si i tillë, njohës i thellë i të gjitha proceseve që përfshinë interesat amerikane në Ballkan, por edhe ato shqiptare në Washington DC.
Autori në këtë shkrim argumenton se gjykata është produkt i presionit politik kryesisht amerikan dhe jo i një procesi të brendshëm të drejtësisë në Kosovë, dhe se struktura e saj përbën një devijim të thellë nga nevojat për drejtësi por edhe pronësisë institucionale të Kosovës.
Steinabum, që njëherazi është edhe profesor në American University në Washington DC, thotë se qendrimi fillestar i qeverive amerikane rreth pretendimeve për krime lufte nga UÇK ishte se ato ishin minimale: “qeveria e Shteteve të Bashkuara i shihte si minimale vazhdimisht akuzat kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), forcës kryengritëse që luftoi për pavarësinë e Kosovës gjatë luftës së viteve 1998–1999. Zyrtarët amerikanë në përgjithësi pranonin se asnjë ushtri nuk është e përsosur, veçanërisht në mjegullën e luftës, por këmbëngulnin se, në tërësi, UÇK-ja ishte sjellë në mënyrë të arsyeshme.”
Stainbaum thotë se edhe akuzat më serioze si ato për terrorizëm apo trafikim organe, “ishin hedhur poshtë në një raport të CIA-s, të hartuar si përgjigje ndaj një amendamenti të kongresistit Eliot L. Engel, një mbështetës i vendosur i Kosovës, i cili më vonë u bë kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.”
Në shkrimin e tij autorial të botuar sot si përgjegje në një dialog me ish ministrin e punëve te jashtme Petrit Selimin, Jason Steinbaum poashtu spjegon edhe detajet e paditura deri më tani për ndërpveprimin e Departamentit të Shtetit dhe Ambasadës amerikane me kongresistin Engel, për të bërë presion ndaj Kosovës. Steinbaum rikujton se “Për disa vite me radhë, Departamenti Amerikan i Shtetit u dha pak ose aspak besueshmëri pretendimeve të Martyt, edhe pas rezolutës së Këshillit të Evropës. Pastaj, pothuajse brenda natës, Shtetet e Bashkuara ndryshuan qëndrim. Diplomatët amerikanë kaluan nga shpërfillja e raportit të Martyt në këmbënguljen, në vitin 2015, se nevojitej një gjykatë ndërkombëtare për të hetuar akuzat e tij. “ Kërcënimi kryesor ndaj Kosovës u bë se nëse Kosova nuk do ta bënte Gjykatë, këtë do ta themelonte OKB-ja, sipas Steinbaum: “Nëse Kosova nuk do ta krijonte Gjykatën, paralajmëronin diplomatët amerikanë, ajo do të krijohej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së – edhe pse, natyrisht, kjo nuk mund të ndodhte nëse SHBA-ja do të përdorte veton e saj. Më e rëndësishmja, Kosovës iu tha se duhej të vepronte pa vonesë, sepse Shtetet e Bashkuara, aleati i saj më i fortë dhe më i qëndrueshëm, po i kërkonin – lexo: po i impononin – ta bënte këtë.”
Këtu Steinbaum jep kontekstin dhe arsyen e këtij ndryshimi të qendrimit amerikan: “një superfuqi si SHBA ka shumë interesa globale dhe nganjëherë ato interesa përplasen me njëri-tjetrin. Ndërsa akuzat e Martyt zienin në Evropë dhe shpërfilleshin kryesisht nga Uashingtoni, administrata Obama po ndiqte prioritetin e saj kryesor në politikën ndërkombëtare: një marrëveshje bërthamore me Iranin. Pothuajse çdo objektiv tjetër i politikës së jashtme kaloi në plan të dytë përballë atyre negociatave dhe ruajtja e koalicionit ndërkombëtar që i mbështeste ishte thelbësore.”
Steinbaum pohon se si kundërvlerë për bashkëpunim rreth marrëveshjes së madhe me Iranin, “shumë besojnë se Rusia, dhe ndoshta edhe disa interesa evropiane, i kërkuan Shteteve të Bashkuara – partnerit kryesor të Kosovës – të ushtronin presion mbi shtetin e ri për të krijuar një gjykatë që do të hetonte dhe ndiqte penalisht këto akuza.
