Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, ka thënë për RTK-në se minatorët kanë mbetur të ngujuar në horizontet e minierës në Stantërg, pas një defekti në sistemin e energjisë elektrike.
Januzi ka thënë se defekti ka ndodhur rreth orës 19:30, si pasojë e djegies së linjave të tensionit të lartë dhe një defekti në trafostacionin e tunelit të parë.
Sipas tij, një pjesë e minatorëve kanë nisur të dalin përmes daljeve alternative, ndërsa minatori i parë tashmë ka arritur të dalë nga miniera.
“Minatori i parë, sipas informacioneve të mia, ka arritur me dalë, po shpresojmë edhe janë duke dalë edhe grupet e tjera”, ka thënë Januzi.
Ai ka bërë me dije se me minatorët ekziston komunikimi përmes linjës telefonike me tela induktiv dhe se gjendja e tyre është stabile.
“Për gjendjen e tyre për momentin është stabile, nuk ka ndonjë shqetësim”, ka deklaruar Januzi, duke shtuar se një minator raportohet të ketë problem me këmbën, gjë që mund t’ia vështirësojë daljen në këmbë.


