Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësimin për deficitin tregtar të Kosovës, i cili gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026 ka arritur në 5.39 miliardë euro.
Përmes një reagimi, Bajrami ka bërë të ditur se nga janari deri në tetor të këtij viti, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 6.35 miliardë eurosh, ndërsa eksportet kanë arritur vetëm në 960 milionë euro.
Ajo ka theksuar se kjo nënkupton se për çdo 100 euro mallra të importuara, Kosova ka eksportuar vetëm 15 euro.
Sipas Bajramit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, eksportet janë rritur për 185 milionë euro, ndërsa importet për 492 milionë euro. Si rrjedhojë, pavarësisht rritjes së eksporteve, deficiti tregtar është thelluar edhe për 306 milionë euro.
Deputetja e LDK-së ka kritikuar Qeverinë për politikat ndaj bizneseve vendore, duke pretenduar se ato po përballen me vonesa në subvencione, mungesë kompensimi për dëmet në bujqësi dhe kosto të larta të prodhimit.
Ajo ka veçuar edhe akcizën dhe TVSH-në në karburante, për të cilat ka thënë se po rëndojnë prodhuesit vendorë dhe po krijojnë hapësirë më të madhe për produktet e importit.
“Me thanë asgjë është e padrejtë, sepse në plot raste po i persekuton bizneset vendore, po i vonon subvencionet e nuk po i kompenson dëmet në bujqësi e si asnjë qeveri tjetër në rajon po merr të plotë akcizën e TVSH-në në karburante, duke rritur koston e prodhimit e duke krijuar hapësirë për produktet e importit”, ka shkruar Bajrami.
Në fund, ajo ka ngritur edhe çështjen e mbështetjes së prodhuesve vendorë, duke pyetur se çfarë po bën Qeveria për t’ua lehtësuar kostot, për të rritur shitjet në tregun e brendshëm dhe për t’u mundësuar depërtimin në tregje të reja ndërkombëtare.