Një ngjarje e rëndë u shënua sot në mesditë në 3 shtator në Vlorë, ku një biznesmen është kërcënuar me armë zjarri dhe është dhunuar nga disa persona.
Policia e Vlorës ka dhënë detaje për ngjarjen, duke bërë me dije se autorët i kanë vendosur biznesmenit një gjobë prej 5 milionë eurosh. Sipas Policisë, ai është kërcënuar se brenda 48 orësh duhet të largohej nga Shqipëria.
Pas denoncimit, shërbimet e Policisë ngritën pika kontrolli në disa zona për kapjen e personave të dyshuar. Gjatë ndjekjes, një automjet tip “Range Rover” nuk iu bind urdhrit të policisë dhe doli nga rruga në zonën e Urës së Peshkëpisë.
Në automjet u gjet një pistoletë dhe një krehër me 16 fishekë, ndërsa dy prej personave që ndodheshin brenda mbetën të dëmtuar. Në vijim të operacionit, Policia ndaloi edhe një tjetër automjet të dyshuar dhe gjeti brenda tij tre fishekë pistolete.
Në përfundim të aksionit, pesë persona janë arrestuar, ndërsa gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim dhe vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Fjala e plotë e drejtorit të Policisë së Vlorës, Edvin Ndreu
Përshëndetje!
Siç jeni bërë me dije nëpërmjet informacionit paraprak, sot, rreth orës 11:30, jemi njoftuar nga pronari i një hoteli në Radhimë, konkretisht nga shtetasi V. B., se kishte nevojë për ndihmë, pasi disa persona e kishin dhunuar dhe kërcënuar me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë dhe janë nisur në drejtim të adresës së dhënë.
Duke vlerësuar maksimalisht informacionin e marrë, u ngritën pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit të Vlorës dhe në Dhërmi. Gjithashtu, menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë.
Ndërkohë, u bashkëpunua me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe Fier për ngritjen e pikave të kontrollit edhe në këto territore.
Rreth orës 12:00, në pikën e kontrollit në Rrethin e Alikokës, një automjet fuoristradë, tip “Range Rover”, me ngjyrë të zezë, nuk iu bind shërbimeve të Policisë për të ndaluar, duke vijuar rrugën në drejtim të fshatit Peshkëpi. Gjatë ndjekjes, në vendin e quajtur Ura e Peshkëpisë, ky automjet ka dalë nga rruga, duke goditur barrierat mbrojtëse të saj.
Në këtë automjet ndodheshin tre shtetas, konkretisht shtetasi L.M, drejtues i automjetit, dhe dy pasagjerët, shtetasit K.LL dhe M.Ll, vëllezër, punonjës të SH.P.S.F.
Si pasojë e daljes nga rruga, shtetasit L.M dhe M.Ll janë dëmtuar dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri, pistoletë, së bashku me një krehër me 16 fishekë luftarakë.

