Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka folur sërish për mundësinë e hapjes së një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës dhe të një konsullate serbe në Shkodër, duke theksuar se çdo vendim do të merret duke mbrojtur interesat e Shqipërisë.
Në një intervistë për Top Channel, Hoxha deklaroi se angazhimi diplomatik me Serbinë nuk e ndryshon në asnjë mënyrë qëndrimin e Shqipërisë ndaj Kosovës.
“Qëndrimi i Shqipërisë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial, mëvetësinë dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës ka qenë dhe mbetet i qartë, i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm”, tha ai.
Sipas Hoxhës, hapja e një konsullate në Luginën e Preshevës do ta afronte shtetin shqiptar me shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve. Ai kritikoi debatin e zhvilluar pas publikimit të kësaj nisme, duke thënë se është përqendruar më shumë te interesat e supozuara të Serbisë sesa te përfitimet konkrete për shqiptarët e Luginës.
Ministri theksoi se marrëdhëniet diplomatike ndërmjet shteteve funksionojnë mbi parimin e reciprocitetit dhe se kërkesa që Shqipëria të hapë konsullatë në Serbi, pa i ofruar Beogradit të njëjtën mundësi, nuk përbën zgjidhje reale.
