Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur për rikthimin e presidentes Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se partia e ka pritur më mirë nga sa ishte pritur. Haziri ka përmendur edhe angazhimin e LDK-së për të mbështetur Osmanin në procese të ndryshme politike.
Haziri, në emisionin “Këndi i debatit”, është pyetur nëse rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK e ka ndihmuar partinë apo nëse ka shtuar tensionet e brendshme.
Ai ka thënë se Osmani iu rikthye LDK-së pasi nuk arriti të sigurojë një mandat të dytë presidencial dhe se partia, sipas tij, e priti më mirë sesa mund të ishte pritur.
“Politikisht, ajo ka ardhur në një moment kur nuk e mori besimin për një mandat të dytë. Këtë e kam thënë edhe njëherë dhe po e them prapë. Kur kemi folur për zonjën Osmani, nuk kam thënë se është duke e parë mandatin e dytë dhe jo kthimin në LDK”, tha Haziri.
Ai shtoi se Osmani e kishte synuar një mandat të dytë, por nuk arriti ta përkthente atë në një detyrë dhe besim të ri politik.
“Ajo është dëshmuar se mandatin e dytë e pa, por nuk mundi ta përkthejë në detyrë dhe në besim, veçanërisht te partia e parë. Edhe tani u kthye në LDK dhe LDK-ja e ka pritur shumë më mirë sesa kanë besuar të gjithë, të dyja palët politike në Kosovë”, u shpreh ai.

