Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka shkruar pasi Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë identifikuar edhe një lokacion tjetër në Zubin Potok me mbetje mortore.
Ajo ka thënë se dyshimet për një varrezë të dytë masive janë një rikujtim i rëndë i krimeve të kryera gjatë luftës dhe një dëshmi se drejtësia ende nuk është vënë plotësisht në vend.
“Shtrirja e sovranitetit dhe rendit kushtetues në çdo pjesë të Republikës së Kosovës nuk ka qenë vetëm obligim institucional, por edhe një parakusht për të mundësuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, zbulimin e varrezave masive dhe kthimin e mbetjeve mortore të viktimave te familjet e tyre”, ka shkruar Haxhiu.
