Shkuarja në zgjedhje të reja me urdhër të Gjykatës Kushtetuese si pasojë e ngërçit në Kuvend do ta komprometonte rëndë këtë institucion, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Ai, në një intervistë me shkrim për KosovaPress, thotë se pa konstituim të Kuvendit nuk mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, ani pse tejkalohet afati tridhjetë ditorë i Gjykatës Kushtetuese, ku ka obliguar deputetët që deri më 26 korrik të konstituojnë legjislaturën e nëntë.
Në ditën e fundit të këtij afati, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan sot të zgjedhin trupat e legjislativit edhe në përpjekjen e 53-të, derisa pritet të mblidhen edhe një herë të shtunën në orën 22:00.
Gjykata Kushtetuese më 24 korrik ka nxjerrë masë të përkohshme për seancën konstituive, ku ua ndalon deputetëve të marrin vendime nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Përkitazi me këtë, Hasani thotë se Kushtetuesja, në aktgjykimin final pas tejkalimit të masës së përkohshme më 8 gusht, do të konstatojë se deri në ndërrimin e rendit të ditës nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, gjithçka ka qenë në përputhje me Kushtetutën, mirëpo prej 1 majit, kur është propozuar votimi i fshehtë për kryeparlamentarin, ka nisur gjendja jo-kushtetuese, që tani duhet të adresohet nga Kushtetuesja.
“Shkuarja në zgjedhje me urdhër të Gjykatës Kushtetuese do ta komprometonte rëndë këtë institucion aq thelbësor për Kosovën dhe për rrugën e saj euroatlantike. Kjo për dy arsye të pakontestueshme. Së pari, pa konstituim të Kuvendit nuk mund të shkohet në zgjedhje, sepse një Kuvend që nuk është konstituaur thjesht nuk ekziston në rendin kushtetues. Kjo është çështje elementare e logjikës juridike dhe e teorisë së shtetit. Një veprim i tillë do të ishte një anomali e paimagjinueshme në ndonjë sistem serioz kushtetues: do të futeshim realisht në Librin e Ginisit për absurditete juridiko-kushtetuese. Më tej, një precedent i tillë do të hapte rrugën që pas çdo cikli zgjedhor, subjektet humbëse të instrumentalizonin kryesuesin e përkohshëm për të bllokuar qëllimisht konstituimin e Kuvendit, duke e shndërruar rendin parlamentar në një krizë ciklike dhe duke instaluar anarki institucionale të qëndrueshme. Në zgjedhjet tjera, beteja do të ishte për gjetjen e një kandidati sa më të moshuar për deputet”, thekson ai.
