Emisari special i presidentit Donald Trump për Misionet e Posaçme, Richard Grenell, ka reaguar ashpër ndaj Bashkimit Evropian dhe Gjykatës së Hagës, duke i akuzuar për mbajtjen e padrejtë të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tash e pesë vjet.
Në një postim në platformën “X”, Grenell iu drejtua presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas vizitës së saj në Kosovë, duke i thënë:
“Gjykata juaj në Hagë e ka mbajtur presidentin Thaçi për pesë vjet. Si mund të shpërndani këshilla gjyqësore për ndonjë vend?”
Ai akuzoi edhe prokurorin amerikan Jack Smith për arrestimin e Thaçit, duke thënë se kjo ndodhi në momentin kur Thaçi po shkonte në Washington për të nënshkruar një marrëveshje paqeje që do ta kishte përfshirë edhe “shuarjen e punës së Jack Smith dhe gjykatës”.
Grenell shtoi se është “turp” mënyra si mediat kanë injoruar, sipas tij, këtë ndjekje të motivuar politikisht.
Ky reagim i tij vjen ndërsa Ursula von der Leyen zhvilloi një vizitë në Kosovë, ku ka theksuar përkushtimin e BE-së ndaj integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union.