Gjykata ka urdhëruar kthimin në punë të Nexhat Krasniqit, drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës. Ka konstatuar se masa e largimit të tij nga puna dy vjet më parë, ishte e kundërligjshme.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është obliguar që ta kthejë në punë Nexhat Krasniqin.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur në favor të drejtorit të Prokurimit, i cili dy vjet më parë u largua nga shërbimi civil përmes një procesi me shkelje flagrante.
Aktgjykimi, i shpallur të hënën e kaluar, ka anuluar vendimin e Komisionit Disiplinor të MMPHI-së për largimin nga puna të Krasniqit dhe e ka detyruar Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) që ta kthejë atë në punë.
Përveç kthimit në punë, Gjykata e ka detyruar MMPHI-në që Krasniqin ta kompensojë në shumën prej 15,639.95 euro.
“Detyrohet e paditura, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që paditësin Nexhat Krasniqi ta KTHEJ në vendin e punës sipas aktemërimit të datës 26.12.2014 në pozitën Drejtor i Prokurimit, në Divizionin e Prokurimit me të gjitha të drejtat dhe obligimet nga marrëdhënia e punës dhe DETYROHET e paditura që paditësit Nexhat Krasniqi t’i komensojë në mënyrë retroaktive në emër të të ardhurave personale-pagave të papaguara shumën 15,639.95 euro”, thuhet në dispozitivin e vendimit.
Dispozitivi i vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë
Gjykata ka konstatuar se vendimi i Komisionit Disiplinor kundër drejtorit të Prokurimit në MMPHI është i kundërligjshëm. Ka konstatuar se vendimi është “juridikisht i paqartë dhe kundërthënës me vetveten”.
Nexhat Krasniqi, anëtar i shërbimit civil nga viti 2014, ishte larguar nga puna brenda dy ditësh.
Masa strikte ishte marrë më 21 nëntor të vitit 2023 nga një Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Mjedisit që e kishte shqyrtuar rastin e sanksionimit të tij me “ndalim hyrje në ShBA” nga Departamenti amerikan i Shtetit. Në ditë më vonë, më 22 nëntor, Krasniqi ishte larguar nga shërbimi civil me vendim të asokohe ministrit Liburn Aliu.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, masa disiplinore ndaj Krasniqit ishte shqiptuar në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Gjykata ka konstatuar se më 21 nëntor të vitit 2023, Komisioni Disiplinor e kishte marrë masën e rëndë ndaj Krasniqit “pa mbajtur seancë, e pa e ftuar paditësin për të dhënë argumentet e tij”.
