Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar dy ankesa të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me pretendimet për parregullsi gjatë ditës së votimit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Në rastin e parë, kolegji gjyqësor e ka hedhur si të palejuar ankesën e LVV-së kundër vendimit të PZAP-së të datës 17 tetor 2025, duke konstatuar se për të njëjtën çështje tashmë ishte vendosur me aktgjykimin e datës 23 tetor 2025, dhe gjithashtu se ankesa ishte parashtruar pas afatit ligjor.
LVV kishte kërkuar verifikimin e drejtpërdrejtë të librave origjinalë të votimit për Komunën e Hanit të Elezit, të ruajtur në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN). Partia pretendonte se numri i lartë i rasteve të asistimit përbënte shkelje të nenit 10 të Rregullores 12/2024 dhe të parimit të fshehtësisë së votës, si dhe se PZAP kishte shkelur të drejtën për mjet efektiv juridik, duke kërkuar përsëritjen e votimit aty ku shkeljet ndikojnë në rezultatin përfundimtar.
