Prani ushtarake në zemër të Hamburgut: ushtarët e Bundeswehr-it marrin pjesë në ushtrimin 'Red Storm Charlie'. Foto: Norbert Schramm/Bundeswehr
Si funksionon Plani Operativ të Gjermanisë? Një stërvitje e madhe e Bundeswehr-it jep përgjigjet.
Mesnatë në një lagje banimi të Hamburgut. Rrugët janë të qeta e të zbrazëta, kur papritur shpërthen zhurma: disa helikopterë fluturojnë mbi qiellin e natës, dritat blu ndriçojnë errësirën dhe një kolonë e gjatë automjetesh përshkon rrugët. Mbi mjetet e blinduara të Bundeswehr-it (Forcave të Armatosura Gjermane) qëndrojnë ushtarë me mitralozët gati për të hapur zjarr. Për banorët është një pamje e pazakontë, ndoshta edhe e frikshme, në një qytet port që zakonisht jeton në qetësi.
„Red Storm Charlie” është emri i stërvitjes që për tri ditë paralizon pjesë të qytetit hanzeatik në Gjermaninë e veriut . Bundeswehr-i, policia dhe organizatat civile provojnë së bashku sa të gatshme janë për një situatë të jashtëzakonshme. Skenari supozon një përshkallëzim të kërcënimit në krahun lindor të NATO-s. Në portin e Hamburgut, më të madhin detar të Gjermanisë, zbarkojnë trupa të NATO-s, rolin e të cilave e luajnë ushtarë të Bundeswehr-it, dhe pastaj kalojnë nëpër qytet drejt lindjes. Sabotimet dhe demonstratat, edhe ato pjesë e skenarit, e ngadalësojnë përparimin e trupave. Me rreth 1700 pjesëmarrës, mes tyre 500 ushtarë, stërvitja e 24–26 shtatorit 2026 është më e madhja e këtij lloji deri tani.
„Red Storm Charlie” është pjesë e një plani të fshehtë, Planit Operativ të Gjermanisë (Operationsplan Deutschland). Me këtë dokument Bundeswehr-i përgatitet për një sulm të mundshëm të Rusisë ndaj territorit të NATO-s. Plani përshtatet plotësisht me planifikimet më të gjera mbrojtëse të aleancës.
Në një skenar lufte ose krize, Gjermania e tërë, jo vetëm Hamburgu, do të merrte një rol të veçantë: atë të nyjës logjistike për qindra mijëra ushtarë të NATO-s, me armët dhe pajisjet e tyre të rënda. „Është një plan shumë i detajuar dhe tepër sekret, që përcakton ku saktësisht do të zbarkonin aleatët e NATO-s në Gjermani, sidomos në cilët porte, dhe cilat itinerare do të duheshin për tranzitin nëpër vend”, shpjegon Aylin Matlé, eksperte e sigurisë në Shoqërinë Gjermane për Politikë të Jashtme (DGAP), në intervistë për Deutsche Welle (DW).
Gjermania si vend tranzit për trupat e NATO-s
Baltiku është vendi ku NATO pret më shumë një sulm të Rusisë. Atje ajo do të grumbullonte kontingjente të mëdha nga 32 shtetet anëtare, ndaj ushtarët nga Evropa jugore e perëndimore do të duhej të kalonin nëpër Gjermani. „Konkretisht kjo do të thotë që brenda gjashtë muajsh rreth 800.000 ushtarë me 200.000 automjete do të duhej të kalonin nëpër vendin tonë. Kështu është llogaritur”, shpjegon Marcel Bohnert. Oficeri i Bundeswehr-it ka marrë pjesë në hartimin e versionit të parë të planit dhe me DW-në flet si person privat, jo si përfaqësues zyrtar. „Duhet të garantojmë që ushtarët t’i përdorin rrugët dhe portet tona me siguri. Prandaj kujdesemi për të gjitha nevojat e tyre: strehimin, ushqimin, sigurinë, dhe i udhëheqim nëpër rrjetin tonë rrugor.”
Plani parashikon edhe transporte në drejtim të kundërt, nga lindja në perëndim, si ushtarët e plagosur ose civilët që ikin. Porosinë për ta hartuar e dha Inspektori i Përgjithshëm i Bundeswehr-it, Carsten Breuer, pas sulmit të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës në vitin 2022. Breuer është ushtaraku më i lartë i Gjermanisë dhe nuk është i vetmi që druhet se Rusia mund të sulmojë edhe vende të tjera. Gjermania përballet tashmë me një varg provokimesh ruse, nga sulmet kibernetike deri te sabotimet ndaj Bundeswehr-it.
