Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Kosovë ka përcjellë mesazhe për situatën politike në vend, aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, debatin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Von der Leyen u takua me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin mbajti edhe një konferencë të përbashkët për media.
Von der Leyen për aktgjykimin në Hagë
Presidentja e Komisionit Evropian tha se aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka shkaktuar emocione të forta në Kosovë, duke vlerësuar thirrjet për qetësi nga liderët politikë.
Ajo theksoi se përgjegjësia për veprat e gjykuara është individuale dhe nuk lidhet me historinë e rezistencës së Kosovës.
“Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”, deklaroi Von der Leyen, duke iu referuar represionit të vitit 1999, krizës humanitare dhe vuajtjeve të popullit të Kosovës.
Ajo shtoi se BE-ja ka qenë përkrah Kosovës që nga ajo periudhë dhe bëri dallimin mes përgjegjësisë individuale të të akuzuarve dhe historisë së luftës dhe rezistencës së Kosovës.
“Një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të personave të pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, tha ajo.
Von der Leyen nënvizoi gjithashtu se mandati i Dhomave të Specializuara duhet të respektohet.
“Kosova vendos për ndryshimet në Ligjin për Specialen”
Sa i përket projektligjit të propozuar nga PDK-ja për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Von der Leyen tha se vendimi i takon Kosovës.
Megjithatë, ajo theksoi se çdo vendim duhet të ruajë pavarësinë e sistemit gjyqësor.
“I përket Kosovës që të vendosë. Është me rëndësi që të garantohet pavarësia e gjyqësorit. Në këtë kuadër, i përket Kosovës që të vendosë se çfarë është e nevojshme të bëhet ose jo, por është me rëndësi që gjyqësori të mbahet i pavarur”, u shpreh ajo.
Von der Leyen: Kosova duhet të punojë për statusin e vendit kandidat
Në fokus të vizitës ishte edhe rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Von der Leyen tha se Komisioni Evropian do të vazhdojë të punojë me Kosovën për avancimin drejt statusit të vendit kandidat, por theksoi se për këtë nevojitet mbështetja e të gjitha 27 shteteve anëtare.
“Për mua është e rëndësishme që të punojmë ngushtë rreth aspiratës suaj që të bëheni shtet kandidat. Duhet t’i bindim 27 shtetet anëtare dhe ato do ta kërkojnë mendimin e Komisionit. Ne punojmë ngushtë për këtë”, tha Von der Leyen.




