Gjykata Supreme e ka shfuqizuar nenin e Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025, që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar.
Supremja, gjatë shqyrtimit të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarëve të familjeve të tyre, ka vlerësuar se me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të ligjit është krijuar një paqartësi dhe konfuzion juridik në raport me ekzistimin ose jo të marrëdhënies së punës si kriter për përfitimin e së drejtës ligjore të kompensimit financiar.
“Në analizë të përmbajtjes së dispozitave të ndryshuara, Gjykata konstaton se riformulimi i nenit bazik ka krijuar pasiguri lidhur me pyetjen nëse kjo e drejtë u takon vetëm atyre që janë të punësuar në sektorin privat apo edhe atyre që janë të punësuar në sektorin publik. Në këtë drejtim, Gjykata ka interpretuar nenin 16A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar, i cili përcakton se: “Veteranët e luftës së UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, si dhe jashtë ndërmarrjeve publike, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50% të shumës së paraparë, por që në total nuk do të kalojë 0.7% të Bruto Prodhimit Vendor”, thuhet në njoftim.
Tutje, kjo gjykatë vlerëson se ligjdhënësi ka dashur të përjashtojë nga përfitimi i kompensimit vetëm ata persona që janë të punësuar në institucione që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës apo në ndërmarrje publike, ndërsa ata që janë të punësuar jashtë sektorit publik, përkatësisht në sektorin privat, gëzojnë të drejtën e kompensimit në përputhje me kufijtë e përcaktuar ligjorë.
Ndër të tjera, në vendim thuhet se e drejta për përfitim nga kjo kategori ligjore nuk varet nga ekzistenca e marrëdhënies së punës në përgjithësi, por nga natyra e punëdhënësit dhe burimi i financimit të pagës – pra, nëse ai burim është apo jo buxheti i shtetit.
