Zjarri i natës së Vitit të Ri në barin e resortit luksoz të skive Crans-Montana në Zvicër, ku humbën jetën dhjetëra persona dhe mbi njëqind u plagosën, ka shkaktuar reagime të forta nga liderë botërorë dhe institucione ndërkombëtare.
Presidenti i Konfederatës Helvetike (Zviceriane), Guy Parmelin, e cilësoi ngjarjen si “një nga tragjeditë më të rënda që vendi ka njohur ndonjëherë”, duke theksuar se pas shifrave të viktimave fshihen “fytyra, emra, familje dhe jetë të ndërprera brutalisht”.
Reagimi i Bashkimit Evropian
Shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se Europa qëndron në solidaritet të plotë me Zvicrën dhe po bashkëpunon përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së për ndihmë mjekësore.
“Jam thellësisht e pikëlluar nga zjarri në Crans-Montana. Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë të prekurit. Ne po bashkëpunojmë me autoritetet zvicerane për të ofruar ndihmë mjekësore përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Evropa qëndron në solidaritet të plotë me Zvicrën.”, deklaroi Von der Leyen në një postim në rrjetin social X.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, vlerësoi guximin e atyre që rrezikuan jetën për të shpëtuar të tjerët, ndërsa siç shkruan Reuters, presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, e cilësoi ngjarjen si “një fillim zemërthyes të Vitit të Ri”.
Solidaritet nga Franca dhe Gjermania
