Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka sqaruar se pas përfundimit të mandatit të presidentes aktuale më 4 prill, përgjegjësitë e shefit të shtetit kalojnë automatikisht te kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pa pasur nevojë për vendim apo urdhër formal.
Që nga viti 2008, kur shpalli Pavarësinë, më 4 prill të këtij viti vendi do të gjendet në një situatë institucionale me të cilën nuk është ballafaquar më parë: skadimi i mandatit të presidentit aktual pa u zgjedhur presidenti i ri.
Kushtetuta e Kosovës, e miratuar më 9 prill të vitit 2008, nuk e ka paraparë në mënyrë të qartë një situatë ku përfundon mandati i presidentit aktual dhe në të cilën nuk është zgjedhur në kohë presidenti i ri.
Në debatin publik mbizotëron interpretimi se rasti i përfundimit të mandatit të Vjosa Osmani do të interpretohet si “mungesë e përkohshme” e presidentit, siç parashihet në nenin 90 të Kushtetuta e Kosovës.
Sipas këtij interpretimi, kompetencat e presidentit do t’i kalonin për një periudhë deri gjashtë muaj kryetares së Kuvendit të Kosovës, edhe pse Neni 90 i Kushtetutës flet në mënyrë eksplicite vetëm për rastet e Mungesës së Përkohshme të Presidentit, jo për rastet kur presidenti i ri nuk është zgjedhur.
Neni 90 specifikon se në rast të mungesës së përkohshme, presidenti mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
“Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ai/ajo mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to”, thuhet specifikisht në Nenin 90, paragrafin 1 të Kushtetutës.
Ngjashëm kishte ndodhur me rastin e dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi në vitin 2020 dhe kalimit të kompetencave te kryetarja e Kuvendit të Kosovës, asokohe Vjosa Osmani.
